Lajme
AKP i pagoi ‘ekspertët e privatizimit’ dyfish më shtrenjtë sesa kërkohej me rregullore
Demokracia
18:15 | 18 Korrik 2023

Share:

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) gjatë vitit 2022, ka paguar deri në 750 euro ekspertët e angazhuar në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, ani pse me rregullore të këtij institucioni është e specifikuar lartësia deri në 450 euro.

Rregullorja 06/2020 e AKP-së për angazhimin e ofruesve të shërbimeve në procesin e likuidimit të NSH-ve, specifikon dy tarifa për kompensim të ekspertëve që angazhohen në procesin e likuidimit.

“Neni 4 kostoja e angazhimit të OSH, pika 1.1 për detyrat sipas nenit 2.2 dhe 2.23 të kësaj rregulloreje është 450 euro; dhe 1.2 për detyrat sipas nenit 2.2.4 të kësaj rregulloreje kostoja është 330 euro”, thuhet në rregullore.

Kjo gjetje është konstatuar edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për AKP-në që mbulon vitin 2022, shkruan Buletini Ekonomik.

“Gjatë auditimit kemi vërejtur se pagat e ofruesve të shërbimeve janë paguar nga 200 euro deri 750 euro, e cila bie ndesh me rregulloren për caktimin e kostove të pagave të OSH-ve”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, “kostot e pagesës për ofruesit e shërbimeve që nuk përputhen me rregulloren reflektojnë trajtim jo të drejtë apo të barabartë të kontraktorëve që ofrojnë shërbime të njëjta krahasuar me kostot e ndryshme të pagesës”.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë se kostot e angazhimit sipas rregullores janë duke u zbatuar, duke pas parasysh pagesën e njëjtë për shërbimin e njëjtë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Të ngjashme