Lajme
“Ajo është kot, ajo është kot” | Kurti e kundërshtonte Zajednicën edhe pas Aktgjykimit të Kushtetueses, por tani fshihet pas të njëjtit dokument
Demokracia
13:06 | 19 Nëntor 2023

Share:

“Ajo është kot. Ajo është kot”.

Kështu e përseriste dy herë në vitin 2019 kandidati për kryeministër, Albin Kurti, pak ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit, kur pyetej për dy konstatimet e Gjykatës Kushtetuese në Aktgjykimin për Zajednicën apo Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

Më 21 dhjetor 2015, pasi kishte gjetur shkelje të frymës së Kushtetutës së Kosovës në Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Zajednicën / Asociacionin, Gjykata Kushtetuese kishte bërë edhe dy konstatime të tjera, që i hapnin rrugë themelimit të saj.

“Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendos: Të konstatojë që Asociaconi do të themelohet siç është paraparë në Marrëveshjen e parë… dhe Akti juridik i Qeverisë dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri e frymën e Kushtetutës… duhet të plotësojnë stadardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me nenet…”.

Për kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin, që mbështetja popullore vetëm sa rritej duke kundërshtuar Zajednicën, nuk kishin kurrfarë vlere këto dy konstatime të Gjykatës Kushtetuese.

“E di që ka marrëveshje, por ka edhe Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. E ka shpartalluar Zajednicën ai Aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese. Unë e kam lexuar mirë”, deklaronte Kurti, të cilit, gazetari ia kujtonte se ky Aktgjykim përmban edhe dy konstatim.

“Ajo është kot, ajo është kot. Se asnjë kapitull i Zajednicës nuk është në përputhje me Kushtetutën. Nuk e ka shpëtu asnjë kapitull. Bile ka mundur në Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese me thanë “qiky kapitull ban”. Ka thënë “asnjë s’ban”, e mandej ka thënë “formone”. Ajo është gati ironi. Ka njëfare ironie të hollë në Akgjykimin e Gjykatës Kushtetuese: “formone ju Asociacionin, po 23 nene të Kushtetutës janë shkelë, edhe asnjë prej kapitujve nuk është në rregull”. Hajgare a?!”, deklaronte Kurti në emisionin Click, në RTV 21.

Por, tani nuk ka më asnjë dyshim. E gjithë karriera e tij politike, e ndërtuar duke kundërshtuar dialogun pa kushte me Serbinë dhe Zajednicën – është rrënuar.

“Populli më votoi të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës – Zajednicën” | Albin Kurti tradhtoi besimin e qytetarëve të Kosovës (VIDEO)

Kurti ka hedhur prapa krahëve çdo kundërshtim për një dekadë dhe po mundohet të fshihet e mbahet pas dokumenteve që edhe ato i kundërshtonte, siç është edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, konstatimet e së cilës i qunate “të kota”.

Më 27 tetor, kryeministri Kurti deklaronte në një konferencë për media se po ndjekë rrugën që kërkohej nga Gjykata Kushtetuese, pra që në fund Statuti i Asociacionit të kontrollohej nga Gjykata Kushtetuese.

“Më 21 Tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, deklaronte Kurti.

Disa ditë më vonë, në një intervistë për televizionin austriak, ORF, ka përmendur prapë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Jam unë që kam ofruar që të shkruajë një draft- statut për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme, që duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimin e BE-së që ky Asociacion nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, asnjë shtresë të tretë të pushtetit, dhe qëndrimin e SHBA-së, i publikuar nga Chollet dhe Escobar”, tha Kurti për televizionin austriak ORF, më 14 nëntor 2023.

Me Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], Kurti tani si kryeministër është dakorduar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “të siguruar një nivel të duhur të vetëmeaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe për zyrtarimin e “statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (Neni 7)” dhe për zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese (Neni 10)”.

Gjatë muajit tetor të këtij viti, dialogu Kosovë – Serbi ka marrë një rrugë të re. Kryeministri Kurti ka filluar procesin e themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë. / Demokracia.com /

Lexo edhe këtë:

Enver Hasani: Draft-Statuti aktual i Asociacionit krijon një regjim special si ai i Hagës, e zhbën pavarësinë e 2008-ës

Të ngjashme