Lajme
A po rrezikohet Kosova nga një epidemi e re? – Flet infektologu Hamdi Ramadani
Demokracia
21:30 | 01 Maj 2022

Share:

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të mërkurën dha alarmin për rrezikun e përhapjes së fruthit në botë. Në muajin janar dhe shkurt të këtij viti u raportuan pothuajse 17 mijë e 338 raste të fruthit në mbarë botën, një rritje e konsiderueshme kjo krahasuar me 9 mijë e 665 raste gjatë dy muajve të parë të 2021.

Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë për Demokracia.com se fruthi mund të përhapet shpejt si epidemi, në rast të mungesës së vaksinimit me kohë të fëmijëve kundër fruthit.

Ai ka shtuar se shteti duhet të bëj kujdes maksimal për imunizimin e fëmijëve kundër fruthit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga sëmundjet akute ngjitëse.

“Duhet kujdes maksimal i institucioneve shëndetësore e veçmas nga IKSHPK-ja. Që të ecet përpara me vaksinim të fëmijëve, me vaksinën e fruthit sipas rregullës së cekur në vaksinimin e fëmijëve dhe ligjeve për mbrojtje nga sëmundjet infektive, si fruthi, kolli i keq, etj., sëmundje të cilat janë të përfshira në vaksinim”, theksoi Ramadani për Demokracia.com.

Sipas tij, nëse nuk bëhet vaksinimi në kohë dhe në mënyrë të duhur, edhe fruthi sikurse COVID-19 mund të përhapet shpejt.

“Luftërat e ndryshme e situata e mungesave të vaksinave, etj., janë faktorë të cilët e ulin shkallën e imunizimit nën 70 për qind të fëmijëve dhe mundësia e një shpërthimi epidemik të fruthit është e mundur”, shtoi ai.

Infektologu Ramadani ka thënë për Demokracia.com se për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, përgjegjës janë institucionet dhe prindërit.

“Institucionet dhe prindërit janë përgjegjës nëse nuk kryhet vaksinimi dhe imunizimi tek fëmijët e moshës njëvjeçare e tutje, pasi që mundësia e epidemisë mund të jetë e pranishme dhe reale. Po ashtu, masa preventive para vaksinimit dhe kujdesi i shëndetit të fëmijëve mbetet prioritet dhe duhet të tejkalohet çdo situatë, në mënyrë që imunizimi tek çdo fëmijë të jetë i mirë dhe i drejtë”, ka thënë Ramadani për Demokracia.com.

Sipas tij, në rast se paraqitet në vendin tonë ndonjë epidemi e fruthit, kjo ka pasoja dhe ndërlikime të ndryshme në shëndetin e fëmijëve.

“Eventualisht, paraqitja e një epidemie me fruth mund të jep ndërlikime të ndryshme, si nga vetë fruthi edhe infeksionet sekondare, bakterore në çdo ind e organ. Kryesisht, aparati respirator atakohet dhe aty janë edhe ndërlikimet e shumta që mund të çojnë edhe në rrezik të jetës së fëmijës së prekur me fruth. Por edhe sisteme tjera, si aparati kardiovaskular, zorrët, sistemi nervor, janë të përfshira në ndërlikime varësisht nga pesha e sëmundjes, shëndetit të fëmijës, vaksinimi, ushqimi etj.”, ka treguar ai.

Infektologu Hamdi Ramadani ka bërë të ditur se fruthi është simptomatik, mirëpo aty ku ka ndërlikime gjatë hospitalizimit, mjekimi mund të bëhet përmes terapisë me antibiotikë, bazuar në pasqyrën klinike, analizat e nevojshme laboratorike, mikrobiologjike, por edhe me imazheri (rëntgen) përkatëse. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

OBSH ngre alarmin: Rrezik në rritje për përhapjen e fruthit

Të ngjashme