Lajme
Britanikët, të shqetësuar për sigurinë në Kosovë e rajon – “Rusia po i fryn zjarrit”
Demokracia
16:22 | 02 Maj 2024

Share:

Me kërkesë të deputetes britanike Alicia Kearns, në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik është mbajtur një seancë në lidhje me çështjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e saj, Kearns ka falënderuar Dhomën e Ulët për mbështetjen që i ka dhënë “integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe Bosnjës” sikurse edhe për dënimin që i ka bërë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar “nga militantë nacionalistë serbë”.

Po ashtu, falënderim pati edhe për faktin se kanë dënuar ndërhyrjet e Rusisë në Ballkan, për “shqetësimet për retorikën irredentiste pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi” dhe kërkon nga Qeveria britanike të rrisë angazhimin me partnerët rajonalë dhe aleatët perëndimorë për të përmirësuar fushën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Është moment shumë i rëndësishëm që i afrohet Ballkanit Perëndimor, moment që do të vendosë nëse ëndrra për integrim euroatlantik do të realizohet apo do të kthehemi në tmerret e 90-tave. Pa paqe nuk mund të ketë progres, dhe me kërcënim të dhunës dhe përqafim të urrejtjes, ushqehet pasiguria”, deklaroi mes tjerash Kearns.

“E ardhmja e Ballkanit është në paqe, dhe këtë e duan me çdo kusht populli dhe bota ka nevojë për të. Duhet edhe t’i japim fund ritraumatizimeve që po ndodhin përmes falsifikimit të historisë dhe të sigurohemi që kur të shohim krizë, duhet të veprojmë”, u shpreh më tej ajo.

Deputetja Kearns ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ka përmendur vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku e sasinë e armëve të sekuestruara, të cilën e ka quajtur jashtëzakonisht të madhe.

David Rutley, deputet britanik dhe Nënsekretar Parlamentar i Shtetit, falënderoi deputeten Kearns për “punën e saj të palodhshme” për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

“Populli i Ballkanit Perëndimor meriton mundësinë për të jetuar në shoqëri stabile, gjithëpërfshirëse dhe demokratike ku mund të shërojnë plagët e mbetura nga konfliktet. Këtë po e synojmë, që të shohim të gjitha gjashtë shtetet teksa luajnë rolin e tyre të plotë në familjen e vendeve euroatlantike me benefitet që u vijnë”, tha mes tjerash Rutley.

Ai tha se Rusia po i fryn zjarrit të ndasisë për të larguar rajonin nga Perëndimi.

“Duhet të shmangim kthimin në konflikt në Ballkanin Perëndimor me çdo kusht. Jemi të vetëdijshëm për pasojat serioze që do të kishte në rajon e më gjerë. Është e qartë se dobësia politike dhe pasiguria në Ballkanin Perëndimor po e kërcënon edhe sigurinë tonë. Korrupsioni endemik po nxit migrimin ilegal dhe po lejon grupe serioze të organizuara të krimit të veprojnë në këtë vend, përfshirë edhe me tregtinë me drogë”.

“Duhet të adresojmë ata që po e shkaktojnë paqëndrueshmërinë, qoftë ai Dodiku me tentimin e tij për shkëputje apo tensionet e ngritura mes Serbisë dhe Kosovës”, theksoi ai.

Duke u ndalur për situatën në Serbi, ai tha se Britania ka punuar gjatë me Beogradin në prioritetet e përbashkëta “dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke e bërë të qartë kur nuk pajtohemi, dhe do t’i gjykojmë individët për veprimet e tyre”.

“Nuk është punë e jona për të komentuar ministra të caktuar, por ngrit pyetje kur sheh persona të sanksionuar nga ShBA-ja në qeveri”, deklaroi deputeti Rutley.

“T’i kthehemi çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, ku kemi parë dhunë në rritje, përfshirë sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Në çdo takim, thirrje, letër që i shkëmbejmë me liderët e Kosovës dhe të Serbisë, u bëjmë thirrje të shmangin retorikën ndezëse dhe eskalimin dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. Vetëm përmes dialogut në mirëbesim mund të normalizojmë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të nisim ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për qytetarët e tyre. Vazhdojmë t’ua bëjmë të qartë autoriteteve të Serbisë që duhet të bashkëpunojnë në tërësi për t’i mbajtur përgjegjës përgjegjësit e sulmit në Banjskë, të ndërmarrin hapa për të luftuar kontrabandën ndërkufitare me armë dhe t’i inkurajojnë serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës””, u shpreh ai në fjalën e tij.

Nënsekretar Parlamentar i Shtetit tha se edhe qeverisë së Kosovës ia kanë shprehur nevojën që “komunitet pakicë të luajnë rol të plotë dhe të barabartë për të ardhmen e vendit”.

Tutje, ai tha se Mbretëria e Bashkuar është e dëshpëruar me bojkotin e serbëve për referendumin e zgjedhjeve në veri.

Ndër të tjera, ai tha se “Britania do të votojë pro Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

Duke u kthyer në rastin e sulmit në Banjskë, ai tha se hetimi mbi rastin është në duart e institucioneve të Kosovës.

“Policia dhe prokuroria e Kosovës janë autoritetet që duhet të kryejnë hetimet e sulmit, dhe duhet të presim që ai hetim të përfundojë”, tha David Rutley, deputet britanik dhe Nënsekretar Parlamentar i Shtetit.

Të ngjashme