Lajme
A mund të ketë rritje të çmimeve dhe qysh ndikon te bizneset “bllokimi” i mallrave serbe?
Demokracia
15:00 | 19 Qershor 2023

Share:

Bllokimi i importeve serbe ka ngjallur frikë në Kosovë se mund të ketë rritje të çmimeve të produkteve. Pavarësisht se “bllokimi” i importeve është një masë e sigurisë dhe jo masë ekonomike, pritet që të ketë ndikim në ekonominë e vendit. Kështu të paktën vlerësohet nga njohësit e fushës.

“Bllokimi” i importeve nga Serbia ka ngjallur frikë se mund të ketë pësëri rritje të çmimeve në Kosovë.

Sipas njohësve të fushës, Qeveria e Kosovës është dashur të konsultohet me bizneset për të vendosur një masë të tillë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një pronocim për Ekonomia Online, ka thënë se “ndalimi” i importeve nga Serbia, dëmton ekonominë e vendit.

Ai është ankuar se bizneset nuk kanë qenë të informuara më herët për masën të cilën e ka vendosur qeveria.

Rafuna ka thënë se ndalimi i mallrave nga Serbia ka shkaktuar kosto shtesë të bizneset pasi malli është paguar.

“Kjo ka ndikuar në kosto shtesë për biznesin, për arsye se ka ndodh që mauna ka arrit 10 minuta pasi që është vendosur masa dhe nuk lejohet, për kundër që mauna është me tabela të Kosovës e malli me prejardhje të Serbisë, kështu që ka ndikuar për shkak se malli është paguar, nuk pranohet të kthehet mbrapa e me një far forme ka mbetur në kufi.” – ka thënë ai.

Më tej, sipas tij, që nga fillimi ka munguar dialogu publik-privat për çështjet ekonomike.

“Bizneset nuk kanë qenë të informuar dhe kjo është një kërkesë që ka dalë nga Oda Ekonomike e Kosovës që para se të merret një vendim i tillë, të konsultohen bizneset për shkak se neve është duke na munguar një dialog publiko-privat me Qeverinë e Kosovës që nga fillimi. Së paku të njoftohemi paraprakisht, të kemi mundësinë që të përgatitemi për të mirën e biznesit por edhe për të mirën e qytetarëve.” – ka thënë Rafuna.

Në anë tjetër, Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet tona.

Ata nuk janë përgjigjur se cilat janë masat që do të ndërmarrin nëse do të ketë rritje të çmimeve pas bllokimit të mallrave.

Kujtojmë se Kosova gjatë vitit 2022 ka importuar mallra në vlerë prej 371.6 milionë euro nga Serbia, ndërsa në vitin e 2021 Kosova nga Serbia kishte importuar mallra në vlerë prej 305.4 milionë euro, ku del të jetë 66 milionë euro më shumë është rritur vlera e importeve.

Ndërkohë, gjatë viti 2022 vlera e importi ka arritur vlerën e mbi 5 miliardë eurove dhe eksporti mbi 869 milionë euro.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin prill 2023, arritën në 78.3 milion euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.1%), Shqipëria (5.6%), Maqedonia e Veriut (4.6%).

“Bllokimi” i importeve nga Serbia u mor si masë e sigurisë nga Qeveria e Kosovës pas kidnapimit të tre zyrtarëve policiorë nga ana e policisë serbe në brezin kufitar në veri.

Kryeministri, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, bërë të ditur se masa është për çështje të sigurisë dhe nuk është masë ekonomike tregtare.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër.” – ka thënë Kurti.

Të ngjashme