Lajme
A ka ndryshuar qëndrim Eman Rrahmani për Kodin Civil?
Demokracia
11:21 | 20 Shkurt 2023

Share:

Kodi Civil i cili vitin e kaluar dështoi të miratohet, së shpejti do të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Kështu kanë konfirmuar nga Ministra e Drejtësisë.

Njëri prej deputetëve që ka votuar kundër këtij kodi, i cili parasheh lejimin e martesës mes gjinisë së njëjtë është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

Rrahmani për Insajderi ka ritheksuar se nuk do të votojë pro këtij projektligji.

“Prapë njëjtë them, nuk do ta votojë, qëndrimi që kam pasur ashtu mbetet”, ka thënë shkurt Rrahmani për Insajderin

Pas dështimit të miratimit të Projekt-kodit Civil, nga Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin zotuar se ky do shqyrtohej sërish gjatë vitit 2022. Një gjë të tillë nuk ndodhi, përkundër asaj që kishte thënë më 8 gusht shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

“Për sa i përket pyetjes për Ligjin e Pagave dhe Kodin Civil, përgjigja është po. Të dyja do të trajtohen në sesionin vjeshtor. Kodi civil është i paraparë që të përcillet në Qeveri dhe të vije në Kuvend, po shpresoj në javët e para të sesionit vjeshtor, ashtu siç edhe i kemi indikacionet nga Ministria e Drejtësisë”, kishte thënë ajo.

Në mars të vitit të kaluar, nga 61 deputetë që votuan, 28 ishin për, 29 kundër dhe katër prej tyre abstenuan. Në mesin e atyre që votuan kundër Kodit Civil, të sponsorizuar nga Qeveria, ishin edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të komuniteteve jo shumicë.

Të ngjashme