Lajme
A do të mund të zgjedhin qytetarët e Kosovës prej kujt të furnizohen me rrymë në vitin 2024?
Demokracia
12:08 | 25 Dhjetor 2023

Share:

I gjithë prodhimi më energji elektrike në Kosovë është i varur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Një pjesë e vogël prodhohet edhe nga hidrocentralet dhe burimet e tjera të ripërtёritshme të energjisë elektrike (BRE). Pastaj KESCO, ka primatin për funksionin e Furnizuesit të Shërbimit Universal të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës dhe është në pronësi të kompanive prestigjioze turke, Limak e Çalik. Por, kompania turke, nga ky vit nuk do të jenë më furnizuesi i vetëm, shkruan Demokracia.com.

Liberalizimi i tregut, që sipas burimeve të Demokracia.com po përgatitet të bëhet nga ZRRE, është një proces që nënkupton se të gjithë konsumatorët kosovarë do të mund të zgjedhin prej kujt të furnizohen me rrymë. Ndërkohë, liberalizimi obligativ përfshin një pjesë të konsiderueshme të bizneseve.

Sipas ligjit, në liberalizim të domosdoshëm do të hyjnë të gjitha bizneset që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro në vit apo mbi 50 punëtorë. Ato do të mund të zgjedhin prej kujt të furnizohen. I gjithë ky proces parashihet të hyjë në fuqi nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, por deri tash Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk ka marrë ndonjë vendim.

Demokracia.com e ka pyetur ZRRE-në para disa ditëve lidhur më atë se: “Kur do të ndodh liberalizimi i tregut elektroenergjetik? Kur do të mund ta zgjedhin kosovarët furnizuesin vetë, pra të mos ketë monopol KESCO? Cilët konsumatorë dhe kur do të hyjnë në liberalizim të obligueshëm? Spekulohet që më 1 prill do të jenë shumë konsumatorë në treg të hapur, a është e vërtetë?”. Në asnjërën nga këto pyetje, ZRRE-ja nuk ka kthyer përgjigje.

Mësohet se me hyrjen në fuqi, konsumatorët që i nënshtrohen liberalizimit obligativ nuk do të jenë më konsumatorë të rregulluar, pra nuk do të paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë me tarifat për konsumatorët e rregulluar, por me çmime të tregut, në bazë të marrëveshjeve individuale të tyre me furnizuesin.

Deri sa i gjithë vendi furnizohet nga KESCO, deri më tani vetëm katër ndërmarrje të mëdha në Kosovë janë furnizuar në treg të hapur, gjë që kanë pasur vështirësi të mëdha të sigurojnë rrymën në vitin e kaluar, kur çmimet e energjisë ishin rritur dukshëm. Bëhet fjalë për “Trepçën”, e cila shpenzon rreth 111.9 GWh, Mihjet, të cilat shpenzojnë rreth 111.9 GWh, “Sharrcem”, që shpenzon rreth 67.9 GWh, dhe “NEW.CO. FERRONIKELI” që shpenzon rreth 255.4 GWh. Këto ndërmarrje e kanë tërhequr rrymën nga tregu i lirë, rrjedhimisht nga rrjeti i transmetimit që menaxhohet nga KOSTT.

Liberalizimi i tregut energjetik është proces ku shumica e vendeve të rajonit kanë avancuar ndjeshëm dhe të gjitha janë përpara Kosovës. Edhe Shqipëria i nxori në treg të hapur bizneset vitin e kaluar.

Futja e bizneseve në treg të hapur do të krijonte shumë mundësi edhe në funksionalizimin e tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri, përkatësisht krijimin e berzës energjetike Alpex.

Në vijim të marrëveshjes për themelimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, në tetor 2020 u firmos Marrëveshja e Aksionarëve midis OST dhe KOSTT për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX sh.a., e cila do të realizojë tregun e organizuar në të dyja shtetet.

Bazuar në vendimet e Këshillit të Ministrave, respektivisht nr. 322, datë 15.05.2019 “Mbi themelimin dhe përcaktimin e formës ligjore të strukturës së pronësisë të kapitalit aksionar të operatorit të tregut” dhe atë nr.609, datë 11.09.2019 “Mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në kapitalin aksionar të operatorit të tregut”, në tetor të vitit 2020 u themelua Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) si një Shoqëri Aksionare sipas ligjit shqiptar, në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe Kosovës (KOSTT).

Në dhjetor të vitit 2020, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ERO) miratoi kërkesën e KOSTT për të deleguar tek ALPEX autoritetin për organizimin e tregut të ditës në avans dhe atë brenda së njëjtës ditë në Kosovë.

Si rrjedhojë, synimi është që ALPEX të dizenjohet si NEMO për Shqipërinë dhe Kosovën, i cili është subjekt i miratimit nga rregullatorët respektive.

Nën kujdesin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe të Komisionit Europian, gjashtë vendet të cilat nënshkruan Marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë, respektivisht Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, iu bashkuan iniciativës WB6 (i njohur gjithashtu edhe si Procesi i Berlinit). Qëllimi kryesor i iniciativës WB6 ishte mbështetja më qëllim përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitja drejt një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës në këto vende. Në prill të vitit 2016, këto gjashtë vende nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU), e cila vendosi parimet e përgjithshme të bashkëpunimit dhe ndërmori veprime konkrete për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike në nivel rajonal. Me nënshkrimin e kësaj, palët e interesit të BE-së njohën rëndësinë e kësaj iniciative për sa i përket synimit të bashkimit të tregut rajonal të ditës në avans midis palëve që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Komunitetit të Energjisë dhe vendeve fqinje anëtare të BE-së. Palët e interesit nga të gjitha vendet anëtarë të BE-së, fqinje me vendet e WB6, iu bashkuan nismës me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit.

Në linjë me Memorandumin e Mirëkuptimit të WB6, u nënshkrua një tjetër Marrëveshje Kornize midis OST, KOSTT, ERE dhe ERO për bashkimin (coupling) e tregut të ditës në avans të energjisë elektrike dhe brenda së njëjtës ditë. Më 21 tetor 2021, Shqipëria dhe Kosova, të përkrahura nga USAID, në kuadër të mbështetjes se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë e sistemit energjetik dhe integrimin rajonal të Shqipërisë dhe Kosovës, firmosen Marreveshja Kornize për Bashkimin e Tregjeve të energjisë elektrike midis dy vendeve.

ALPEX pritet të operojë tregun e organizuar të energjisë elektrike (të ditës në avans dhe brenda së njëjtës ditë) në Shqipëri dhe Kosovë, të organizojë bashkimin e tregut të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të lehtësojë bashkimin me tregje të tjera të vendeve fqinje në përputhje me rregulloret e tregut të energjisë elektrike të BE-së dhe Modelin e Synuar Europian. /Demokracia.com/

Të ngjashme