Lajme
Dyshime për konflikt të interesit, Komuna e Prishtinës nuk tregon asgjë për punësimin e dy ‘dostave’ të Përparim Ramës që po angazhohen nëpër tenderë
Demokracia
17:36 | 20 Qershor 2024

Share:

Në një hulumtim të fundit të bërë nga Demokracia.com, janë ngritur dyshime mbi mënyrën sesi dy arkitektë, Visar Geci dhe Gëzim Kastrati, janë përfshirë në projekte të rëndësishme të Komunës së Prishtinës. Pavarësisht mungesës së informacionit zyrtar mbi pozitat dhe pagesat e tyre, që të dy kanë lidhje të ngushta me kryetarin Përparim Rama dhe janë autorizuar për të marrë pjesë në tenderë të ndjeshëm. Ky fakt ngre dyshime edhe për konflikt të interesit.

Sa marrin pagesë dhe cila është pozita e tyre, Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në këto pyetje. Por, që të dy po autorizohen nga kryetari Përparim Rama në projekte shumë të rëndësishme. Ajo që dihet është se të dy janë ‘dosta’ të kryetarit Përparim Rama dhe po shihen më të në ngjarje të rëndësishme. Dyshimet janë se Komuna e Prishtinës është futur në konflikt të interesit me autorizimin e tyre që të marrin pjesë në tenderë.

Të dy kanë qenë bashkëpronarë në kompaninë “Innarch”, shkruan Demokracia.com.

Fillimisht emri i Gëzim Kastratit doli në dokumentet publike kur u emërua në vitin e kaluar nga kryetari Përparim Rama si anëtar i Komisionit të Aksionarëve në NP “Pallati i Rinisë”. Zakonisht, NP-të komunale përbëhen nga tre aksionarë politikë, ku dy nga ta delegohen nga Kuvendi dhe një nga kryetari. Në praktikat e mëhershme të Komunës së Prishtinës, të deleguarit e kryetarit kanë qenë çdo herë drejtorë të drejtorive.

Pra, të deleguarit e kryetarit Rama duket se janë persona të emëruar politikë nga ai.

Të dy shihen në rolin e këshilltarit të kryetarit të Prishtinës. Demokracia.com ka shikuar tek vegëza ‘Vendimet’ e kryetarit të Komunës së Prishtinës që është e publikuar në faqen e Komunës së Prishtinës, por nuk ka gjetur ndonjë vendim që njëri nga ta të jetë emëruar këshilltar.

Demokracia.com javë më parë ka raportuar se Visar Geci e Gëzim Kastrati ishin caktuar nga “Zyra e prokurimit komunal si anëtarë të Komisionit Vlerësues për tenderin Konkurs projektimin – Art&teknology Hub – Tulltorja”. Nëse ata janë të emëruar politikë, ky rast mund të përbëjë konflikt të interesi, pasi personat e emëruar nga kryetari nuk mund të jenë pjesë e komisioneve të vlerësimit të tenderëve.

DOKUMENTE | Tenderi 1.2 milionë euro që u vlerësua nga ‘dostat’ për t’ia dhënë shokut të Përparim Ramës

Demokracia.com, po ashtu, lidhur me këtë tender kishte raportuar se fitues i tij kishte dalë një shok i Përparim Ramës dhe i Visar Gecit. Po ashtu, fituese kishte dalë kompania në konsorcium e një profesori të huaj, i cili ishte vizatuar para pak muajve nga Përparim Rama.

Udhëtimi i përbashkët i Përparim Ramës me Bekim Ramkun te profesori Rafi Segal, që më pas solli tenderin 1.2 milionë euro

Geci dhe Kastrati mësohet se janë të involvuar edhe te kontrata e Arkitektit të Kryeqytetit. Gëzim Kastrati po merr pjesë në konkurset për koncept-dizajne që po hap kjo kompani private në disa projekte. Kjo shihet nga konkurset që i publikon vetë SHAK.

Muaj më parë, nga erërat e forta kishte rënë edhe një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria, duke e lënduar rëndë një vajzë të re.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte dalur në konferencë pesë ditë pas rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

Rama kishte kërkuar ekspertizë të pavarur urgjente për rrëzimin e kulmit të objektit të komunës.

“Problemi me kulmin ka qenë edhe më parë. Duhet ekspertizë urgjente e preliminare për të ditur se çka e ka shkaktuar këtë problem me kulmin e ndërtesës. Kam ftuar ekspertët e fushës, Visar Gecin e Gëzim Kastratin, që i kam parë si profesionistë që veprojnë jashtë komunës për të analizuar e për të na dhënë një gjendje preliminare për rrëzimin e kulmit”, kishte thënë Rama.

Nuk dihet sa ka qenë vlera e pagesës apo nëse janë paguar këta dy persona për ekspertizën e bërë për Komunën e Prishtinës. /Demokracia.com/

Të ngjashme