Lajme
DOKUMENTE | Tenderi 1.2 milionë euro që u vlerësua nga ‘dostat’ për t’ia dhënë shokut të Përparim Ramës
Demokracia
19:50 | 18 Prill 2024

Share:

Vetëm pak ditë i janë dashur kompanive fituese që ta bëjnë projektin për tulltoren e Prishtinës. Hartimi i këtij projekti i ka kushtuar Komunës së Prishtinës fiks 1.2 milionë euro, që mund të konsiderohet një shumë mjaft e lartë krahasuar me investimin që do të ndodhë më pas aty. Demokracia.com ka zbuluar detaje të reja lidhur me mënyrën e dhënies së këtij tenderi.

Në fotografinë e mëposhtme janë pronari i kompanisë fituese për tulltoren, vlerësuesi i tenderit dhe nënshkruesi i tenderit Përparim Rama.

Personi i shënuar me numrin 2 është Bekim Ramku, fituesi i tenderit. Ndërsa, me numrin 1 është arkitekti Visar Geci, i cili ka qenë njëri nga vlerësuesit e tenderit. Dhe, po ashtu, numrin 3 e njihni. Është kryetari Përparim Rama, i cili e ka nënshkruar tenderin. Kjo fotografi është shkrepur kohë më parë, para se të nënshkruhej kontrata.

Ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me konzorciumin “ORG Urbanisum&Architecture BV”; “Rafi Segal Architecture Urbanisem”; “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” për tenderin “Konkurs projektimin – Art&teknology Hub – Tulltorja”, në një vlerë prej 1.2 milionë euro.

Dy ofertuesit e parë janë të huaj, ndërsa e treta “O.U.D -ARCHITECTS SHPK” është me pronar kosovar. Ajo është në pronësi të Bekim Ramkut, i cili ndonëse ishte vetëm pjesë e konzorciumit e ka nënshkruar kontratën.

 

 

Demokracia.com ka siguruar qasje në Raportin e Vlerësimit për këtë tender. Aty shihet se personat që e kanë bërë vlerësimin nuk kanë qenë fare zyrtarë të Komunës së Prishtinës, por ishin tre arkitektë të angazhuar nga jashtë, për të cilët nuk dihet mënyra e angazhimit në këtë tender.

Arkitektja Vildane Maliqi, arkitekti Gzim Kastrati dhe arkitekti Visar Geci kanë qenë ata që e kanë bërë vlerësimin e tenderit. (RAPORTI)

 

Visar Geci me Gzim Kastratin janë arkitektë që kohëve të fundit janë shfaqur mjaft të afërt me kryetarin Përparim Rama. Pos që janë angazhuar në vlerësimin e këtij tenderi, kjo dyshe ishte angazhuar para disa javësh nga komuna e Përparim Ramës edhe për të bërë një vlerësim të punëve të kulmit që ishte rrëzuar nga objekti i Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, ku ishte lënduar rëndë një vajzë. Raportin e tyre ata e kishin dorëzuar në komunë. Po ashtu, kjo dyshe së fundmi janë angazhuar edhe tek “Arkitekti i kryeqytetit”, kontratë kjo e lidhur nga Astrit Nixha dhe Komuna e Prishtinës në vlerë mbi 10 milionë euro.

Geci dhe Kastrati për shumë vite kanë qenë bashkëpronarë te kompania “Innarch”. Pra, nga rreth 1000 arkitektë sa ka Kosova, Komuna e Prishtinës ka gjetur t’i marrë në vlerësim të tenderit dy shokë, ish bashkëpronarë në një kompani, të cilët janë shokë edhe të kryetarit Përparim Rama, ndërsa në bazë të fotografisë Geci njihet edhe me fituesin e tenderit, Bekim Ramkun.

Pjesë e komisionit ka qenë edhe Vildane Maliqi. Ajo është mësimdhënëse në Kolegjin UBT. Ky kolegj ka marrëveshje bashkëpunimi me organizatën e Bekim Ramkut.

Demokracia.com ka raportuar se Ramku, i cili është i involvuar edhe në projektin e Sallës Koncertale të kryeqytetit, është mik shumë i afërt i kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

Kjo dëshmohet edhe nga fotografitë e përbashkëta të të dyve.

Ramku ka qenë prezent edhe në dasmën e Ramës në vitin 2012.

Deri sa fituesi ka ofertuar me 1.2 milionë euro, Komuna e Prishtinës kishte vendosur një çmim prej 1.3 milionë euro, çmim ky që është mjaft i lartë kur kihet parasysh se do të bëhet vetëm një plan arkitektonik urban për të gjithë kantierin, i cili përmban restaurimin e strukturave ekzistuese dhe projektimin e strukturave të reja dhe hapësirës së hapur publike.

Nga ana tjetër, kryeqyteti dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF) kanë bërë marrëveshje në vitin e kaluar për Konkursin “Ide për Prishtinën”, që sipas tyre fokusohet tek përmirësimi i pamjes dhe funksionalitetit të qytetit të Prishtinës, shfrytëzueshmërisë dhe veçanërisht jetueshmërisë së tij. Drejtor i këtij fondacioni është Bekim Ramku./Demokracia.com/

 

Të ngjashme