Kur bëhet fjalë vetëm për Kosovën, shtetet e BE-së paralajmëruan masa “simbolike” kundër Prishtinës, pasi të dërguarit e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, në raportin që parashtruan, i vlerësuan si “të vështira” bisedimet me kryeministrin e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Zyrtarët e kabinetit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë dorëzuar raportin para diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së, për vizitën e tyre në Prishtinë dhe Beograd. Lajçak ka qëndruar atje, gjatë kësaj jave, me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç konfirmuan për REL-in disa burime, të pranishme në diskutim, për shkak të mosmarrjes së hapave drejt shtensionimit, e vetmja masë e menjëhershme që mund të ndërmerret në të ardhmen e afërt kundër autoriteteve të Kosovës është anulimi i takimit të Komisioni Evropian dhe Kosovës në një nënkomision në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.
Anulimi i mundshëm i këtij takimi do të ishte një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e Brukselit ndaj Prishtinës, për shkak të mosrespektimit të kërkesave ndërkombëtare lidhur me shtensioimin e situatës në veri të Kosovës.