Arte
Ramë Lahaj: Dua t’i ndihmoj muzikantët kosovarë ta ndajnë skenën me artistë botërorë
Demokracia
17:09 | 04 Korrik 2021

Share:

“Tenori kosovar, Ramë Lahaj, nuk e filloi trajnimin e tij muzikor deri në moshën 21 vjeçe, por tani është një yll ndërkombëtar që paraqitjen e radhës e ka në ‘Royal Opera House’”, ka shkruar “The Stage”. Në një intervistë, tenori kosovar ka biseduar për rrugëtimin e tij të pazakontë artistik dhe planet për të organizuar një festival në vendlindjen e tij

Ramë Lahaj, në mënyrë të fuqishme, Rodolfo, poeti i varfër i cili bie kokë e këmbë në dashuri me Mimin e sëmurë në “La Bohème” të Puccinit. Ai bëri debutimin e tij me këtë rol në “Semperoper Dresden” në vitin 2012 dhe tani është pjesë e kastës së dytë që ka marrë përsipër ta ringjallë produksionin e Richard Jonesit të vitit 2017 për “Royal Opera House” – që është ndryshuar me qëllim që të ofrojë siguri në këtë periudhë pandemike.

Megjithëse Lahaj ka interpretuar në shumë prej shtëpive më prestigjioze të operës në botë, nuk e kishte menduar asnjëherë që të bëhej këngëtar i operës. Në fakt, ai nuk e filloi trajnimin e tij profesional deri në moshën 21 vjeç – i ishte thënë se është shumë vonë për t’u bërë interpretues operash.

Lahaj u lind në Istog, një qytet i vogël në Kosovë që atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë. Nuk kishte asnjë teatër në qytetin ku ai u rrit dhe ai familja e tij nuk ishin një familje muzikantësh – megjithëse babai i tij, bujk, do të këndonte këngë tradicionale shqiptare natën e Vitit të Ri.

Çfarë është më e rëndësishmja, nuk kishte asnjë mundësi reale për të mbajtur trajnime ose për të hasur në opera. Në atë kohë Kosova, një provincë autonome, ishte “një vend i mbyllur”. Me Titon në krye, Jugosllavia mbështeste parimin e “vëllazërimi-bashkimit” – megjithëse realiteti ishte më i komplikuar – por kur Lahaj ishte i ri, nacionalizmi ishte në rritje dhe, nën regjimin e liderit shtypës serb, Slobodan Millosheviq, shqiptarët e Kosovës, ani pse përbënin shumicën e popullatës vendore u trajtuan si qytetarë të rendit të dytë.

Ata u detyruan të largoheshin nga puna, gjuha e tyre ishte e margjinalizuar në shkolla dhe komunitetit shqiptar iu desh të krijonte një sistem arsimor paralel të vetin. Një karrierë muzikore ishte si cak për Lahajn. “Një ëndërr që as që mund ta ëndërroja në atë kohë”, thotë Lahaj.

Ai ishte 15 vjeç, në vitin 1998, kur shpërtheu lufta në Kosovë. Përkundër moshës së tij të re, ai ishte i përfshirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E ndjeu të nevojshme t’i bashkohej.

“Për të luftuar për të drejtat tona që të jetojmë një jetë normale në vendin ku u rritëm”, ka thënë Lahaj.

Lufta zgjati 15 muaj, duke përfunduar në vitin 1999 kur sulmet ajrore të NATO-s detyruan forcat jugosllave të udhëhequra nga lideri serb, Millosheviqi që të largoheshin nga Kosova. Gjersa vendi rikuperohej nga konflikti, Lahaj fillimisht vendosi të ndiqte një karrierë në teknologji – ai studioi shkenca kompjuterike – por shpejt e kuptoi se kjo nuk ishte ajo që donte nga jeta.

Cila ishte puna juaj e parë?

Lahaj: Drejtor artistik në kanalin televiziv RTV në Kosovë.

Cila është puna juaj e radhës?

Lahaj: Jam duke punuar me ekipin tim për të ndërtuar festivalin tim të ri të operës në Kosovë, “Ramë Lahaj dhe miqtë”

Çfarë do të donit t’ju kishte thënë dikush kur nisët karrierën tuaj?

Lahaj: Do të doja që trajnerët e mi me të cilët kam biseduar të më kishin dhënë vlerësime më të mira dhe të kishin qenë më mbështetës.

Kush ose çfarë ishte ndikimi juaj më i madh?

Lahaj: Tenorët e mëdhenj të së kaluarës. Maestro Domingo, me të cilin kam pasur kënaqësinë të këndoj

dhe të punoj dhe Franco Corelli. Ai më bën të thellohem dhe të eksperimentoj teknikisht. Për mua, ai është një mjeshtër.

Nëse nuk do të ishit këngëtar, çfarë do të kishit bërë?

Lahaj: Do të kisha punuar në PR ose pasuri të paluajtshme.

Përgatiti: Koha.net

Të ngjashme