Lajme
80 pacientë me sëmundje malinje nuk po mund t`i kryejnë radioterapitë
Demokracia
08:29 | 13 Korrik 2022

Share:

Në Institutin e Onkologjisë tash e sa ditë pacientë të sëmurë me sëmundje malinje nuk po arrijnë të marrin shërbime të radioterapisë. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se pritet të finalizohet lista e pacientëve që do të dërgohen për trajtim në Shqipëri, mirëpo nuk ka treguar nëse përveç radioterapisë, pacientëve do t`u kompensohen edhe shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit atje.

Edhe pas dy javësh të ndërprerjes së shërbimeve me radioterapi në institutin e Onkologjisë në QKUK, ende nuk dihet se si do të bëjnë zgjidhje 80 pacientë të cilët kanë mbetur pa i kryer seancat me radioterapi. Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka detajuar marrëveshjen me Shqipërinë për t’i dërguar këta pacientë për trajtim atje.

“Instituti i Onkologjisë, me autorizim të Ministrisë së Shëndetësie, është në komunikim të drejtpërdrejtë me MSh të Shqipërisë dhe MSh pret qe sot të finalizohet lista e pacientëve që do të dërgohen në Shqipëri për marrjen e trajtimit me radioterapi. Për hollësi të tjera teknike e logjistike, pajtohen dy ministritë respektive, në bashkëpunim edhe me SHSKUK-në”, thuhet në një përgjigje të ministrisë për RTK-në.

Por në Institutin e Onkologjisë thonë të kenë përfunduar listat ashtu siç MSH-ja ka kërkuar.

Ardian Millaku, Drejtor i Institutit të Onkologjisë, tha se i kanë udhëzuar me bë një listë me pacientët që kanë qenë duke u trajtuar që ata të bëjnë prioritetet dhe këta pacientë të shkojnë të trajtohen në Shqipëri sipas marrëveshjes që e kanë bërë ata që kanë qenë duke u trajtuar janë 80 dhe janë më shumë që ishin në listë të pritjes.

Ardian Millaku i cili është edhe onkolog, tregon se sa është e dëmshme për pacientët ndërprerja e tretmanit.

“Nuk është mirë që të pritet por mund të bëhet një modifikim I dozës që të arrihet efekti I duhur radiobiologjik që pacienti të mos pësoj? Terapia është 5 ditore dhe është kontinuale”, tha ai.

Meqë trajtimi i pacientëve me radioterapi është i vazhdueshëm dhe nënkupton marrjen e terapisë për 5 ditë radhazi pa ndërprerje për disa seanca, RTK-ja është interesuar nëse shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit jashtë vendit do të mbulohen nga shteti por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë që ende nuk ka një raport zyrtar për dëmet e shkaktuara në radioterapi, mungon edhe informata se kur mund të rikthehen shërbimet në radioterapi e ato të brahiterapisë, pasi është jashtë funksionit, ani pse nuk është dëmtuar por është e vendosur në të njëjtën hapësirë.

Megjithatë, drejtoria e SHSKUK-së përmes një komunikate për medie, është lavdëruar se ka kursyer gjysmë milioni euro me përdorimin e brahiterapisë për vitin e kaluar, duke e shënuar këtë si sukses.

Të ngjashme