Lajme
Të ndahet ‘INTEGRIMI’ nga ‘DIALOGU’ | Kurti me kërkesë që i shërben Serbisë për heqjen e kufizimeve për anëtarësimin e saj në BE (Dokument – Kapitulli 35)
Demokracia
17:02 | 24 Janar 2024

Share:

Në përpjekje për të zhbërë gabimin e 18 marsit 2023, kur me Marrëveshjen e Ohrit e lidhi përgjithmonë integrimin evropian të Kosovës me themelimin e Zajednicës dhe zyrtarizimin e Statusit të Kishës Ortodokse Serbe, kryeministri Albin Kurti po e bën gabimin e radhës.

Mungesa e një strategjie të qartë në dialogun e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka sjellë gabimin e dyfishtë të palës kosovare, shkruan Demokracia.com.

Në njërën anë, Kurti ka ndërlidhur integrimin evropian me zbatimin e marrëveshjeve të kundërshtuara për një dakadë nga ai dhe subjekti i tij politik. Ndërsa, në anën tjetër, zhbërja e kushtëzimit nga Marrëveshja e Ohrit, siç po e kërkon tani Kurti, do të favorizojë edhe pozicionin e Serbisë, pasi e njëjta nuk do të duhej të normalizonte marrëdhëniet me Kosovës si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më 22 janar 2024, plot 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], kryeministri Kurti ka paraqitur kërkesën e re që procesi i integrimit evropian të Kosovës të ndahet nga procesi i dialogut.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”, u ka thënë Kurti gazetarëve në Shkup, në kohën sa zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”.

“Marrëveshja dhe Aneksi pjesë integrale e anëtarësimit në BE” | Kurti dhe zëvendësi i tij bëhen “pishman”, këmbëngulin që të ndahet “integrimi” nga “dialogu”

Në fakt, ky proces është lidhur me pikën 2 të Aneksit të Ohrit [18 mars 2023] për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit [27 shkurt 2023] e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në pikën 2 të Aneksit të Ohrit.

ÇKA NDODHË NËSE ZHBËHET PIKA 2 E MARRËVESHJES SË OHRIT?

Zhbërja e pikës 2 të Marrëveshjes së Ohrit për Kosovën mund të ngjallte kërkesën e njëjtë të Serbisë, pra që të zhvlerësohet Kapitulli i 35-të i Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Si pikë e parë e Kapitullit 35-të për Serbinë qëndron kushtëzimi i rrugës së Serbisë për në Bashkimin Evropian me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Avancimi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE do të udhëhiqet nga progresi i Serbisë në përgatitjen për anëtarësim, i cili do të matet veçanërisht me angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën, si dhe nga kërkesat e tjera të përfshira në pikën 23 të Kornizës Negociuese”, thuhet në njërën nga pikat e Kapitullit 35.

Për më tepër, po sipas këtij kapitulli, “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jetë lidhja ndërmjet këtij dialogu dhe negociatave të anëtarësimit”.

NDËSHKIMI I SERBISË NËSE PENGON NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE ME KOSOVËN

Po sipas Kapitllit 35 të Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, “në përputhje me kornizën e negociatave, Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë do të monitorojnë nga afër dhe në vazhdimësi përmbushjen nga Serbia të grupit të parë pasues të standardeve të përkohshme dhe do t’i raportojnë Këshillit “të paktën dy herë në vit” për këtë çështje”.

Nëse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet mbrapa, shkaku i Serbisë, atëherë Komisioni mund të bllokojë ecjen tutje të Serbisë në rrugën e integrimit evropian.

“Nëse “progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën mbetet dukshëm prapa progresit në negociatat në përgjithësi, për shkak të dështimit të Serbisë për të vepruar në mirëbesim, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, Komisioni me vetiniciativë ose me kërkesën e një të tretave të Shteteve Anëtare, në përputhje me pikën 25 të kornizës negociatore, propozojnë të mos rekomandohen për hapjen dhe/ose mbylljen e kapitujve të tjerë negociues dhe të përshtatin punën përgatitore shoqëruese, sipas rastit, deri në këtë trajtohet çekuilibri”, thuhet në Kapitullin 35-të për Serbinë.

Deri më tani, nga Bashkimi Evropian nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidhur me kërkesën e palës kosovare. /Demokracia.com/

Të ngjashme