Lajme
120 punëtorë teknik të shkollave të kryeqytetit nisin grevën, duan ngritje të pagës
Demokracia
21:00 | 05 Shkurt 2024

Share:

120 punëtorë teknik të shkollave në Prishtinë kanë nisur grevën si shkak o pakënaqësive për pagën prej 270 eurosh. Ata kërkojnë rritje të pagës gjersa theksojnë se do lënë punën javën e ardhme në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre

Tash e 34 vite, Sabrije Canolli e nis çdo ditë me punë në mirëmbajtjen e shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Por, asnjë ditë nuk e ka pasur më të vështirë sot.

Ankesat për pagën prej 270 eurosh kanë bërë që ajo e kolegët e saj të shkollave në Prishtinë sot të nisin grevën.

Sabrije Canolli, punëtore teknike ka thënë se “Nuk po dimë zgjidhje tjetër përpos se e kemi ndërpre punën. E dimë se ndoshta jemi pak por po na vjen keq prej nxënësve, s’kanë faj kurgjo por jemi mbështetur për muri. Kur po vinë faturat spo na pysim sa e kemi rrogën”.

Grevës i janë bashkuar 16 shkolla të kryeqytetit.

E punëtori më i ri teknik i shkollës “Naim Frashëri” thotë se kur e filloi punën, nuk e kishte menduar një ditë si kjo.

Hajdin Gashi, punëtor teknik ka theksuar se “Kam hy në grevë sebet pagës. Ne me këto paga sjemi të knaqt as un as kolegtë. Ishalla na i rrit. Mua ma bojnë t’shpisë ti po punon për rrugë e cigare, spo dalin ma shumë”.

Gjersa thekson se greva nisi me kërkesën e puntorëve, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi ka paralajmëruar edhe mungesën e tyre.

DEK: Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve ka thënë se “Po m duket që Komuna e Prishtinës sa ma keq po i doket ma i mir. Negociojmë me vite, ka ardhur një kohë që sdojmë me punu për të tjerët.  Ne duam ta kryejmë obligimin por e duam edhe pagesën tonë. Nëse jo, realisht nga java tjetër këta puntorë nuk do jenë këtu dhe komuna më pas le të gjejë puntorë të tjerë”.

Gjersa thonë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga greva, ata shprehën zhgënjimin e tyre tek nënkryetari, Alban Zogaj i cili sipas tyre, u kishte premtuar rritje të pagave në protestat e vitit 2023.

Televizioni ka kontaktuar edhe me Zogajn, por i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri për përgjigje.

Me përjashtim të shkollës “Dardania” në kryeqytet, gjithsej 120 punëtorë teknikë të shkollave tjera kanë nisur grevën.

Të ngjashme