Lajme
113 milionë € | Shqiptarëve ua shtrenjtoi, por Qeveria Kurti pagoi qindra miliona euro për rrymën e serbëve në veri më 2021/2022
Demokracia
18:06 | 26 Dhjetor 2023

Share:

Më shumë se 63 milionë euro ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kishte bërë të ditur kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, më 15 nëntor 2023.

Ndërsa, në total për vitet 2021-2022, shuma e paguar për serbët e veriut arrin në 113 milionë euro.

I pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, lidhur me këto pagesa, Mehmeti kishte thënë se shuma totale është 63.1 milionë euro në 2022.

“Një ndër sfidat kryesore që është jashtë kontrollit të KOSTT-it e që është mbulimi i humbjeve të konsumit për pjesë veriore të Kosovës. Përshkrimi i përgjithshëm i performancës për vitin 2022, indikatorët kyç të performancës tregon se gjatë 2022-ës janë realizuar përveç treguesit që ka të bëjë me kërkesën”, ishte shprehur Mehmeti.

“KEDS dhe KESCO kanë refuzuar faturat për muajt korrik, gusht dhe shtator për vitin 2022 dhe KOSTT-i ka ngrotur kontest në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ku vlera e faturave të kontestuar është 18.7 milionë euro”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kishte pyetur për shumën e ndarë nga Qeveria për pagesën e rrymës në veri për vitin 2021 dhe 2022.

“Nëse e shohim se vitin e kaluar janë ndarë 63 milionë euro e në vitin 2021 janë ndarë rreth 40 milionë euro, që vlera totale është 90 deri në 110 milionë euro për dy vite”, ishte përgjigjur Mehmeti.

“Sa prej tyre janë paguar nga Qeveria?”, kishte pyetur sërish Hoti.

“Të gjitha pagesat për veriun janë paguar nga Qeveria”, ishte përgjigjur Mehmeti.

Kritika për pagesat në veri të vendit kishte edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe ajo që dua ta theksoj se edhe ish-qeveritë kanë paguar por në një shumë më të vogël dhe më kujtohet se në kohën e ish-qeverisë Haradinaj janë ndarë 1 milion euro dhe VV-ja sa ishte në opozita nuk ka lënë gjë pa thënë”, ishte shprehur Lekaj.

Të ngjashme