Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë zyrtarizuar vetëm pesë përforcime të huaja të cilët kanë zbarkuar në Kosovë për herë të parë.
Vetëm tri klube këtë merkato kanë zyrtarizuar futbollistë të huaj deri më tani, të cilët nuk janë me nacionalitet shqiptarë, shkruan Demokracia.com.
Llapi ka transferuar tre futbollistë të huaj. Brazilianët Robson Da Silva e Fernandinho i janë bashkuar klubit llapjan këtë merkato. I pari erdhi në “Zahir Pajaziti” nga Al-Mesaimeer, klub nga Katari. I dyti te skuadra e Tahir Batatinës është transferuar nga klubi brazilian, Uberaba.
Drita e angazhoi Ekow Mills, futbollistin e ardhur nga Ghana. 19-vjeçari karrierën kryesisht e ka nisur në vendlindje, ndërsa është aktivizuar për një vit edhe në një klub spanjoll.
Transferim nga jashtë vendit ka kompletuar edhe Dukagjini, klubi nga Klina që së fundmi prezantoi ukrainasin e ardhur nga futbolli sllovak, Vladyslav Khumutov.
Për të folur rreth këtij interesimi të vogël të klubeve tona, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin i cili ka bërë të ditur se te gjilanasit përparësi kanë lojtarët vendorë për disa arsye.
“Gjithmonë përparësi kanë lojtarët vendor. Kjo për faktin sepse i njohim më mirë cilësitë e tyre dhe ata e njohin ligën më mirë dhe përshtaten më shpejt, ndërsa për lojtarë të huaj duhet me pas parasysh që koha e adaptimit duhet të jetë më e gjatë. Nuk do të thotë që Drita ka heq dorë nga lojtarë të huaj por që ne kemi arritur të ruajmë ekipin që kemi pasur dhe kemi arritur që të sigurojmë lojtarë vendorë që i kemi pas si target”, deklaroi Valon Zymberi./Demokracia.com/