Lajme
Zvarritja e dekretimit të kryeprokurorit | Njohësit e drejtësisë: Presidentja të marrë një vendim
Demokracia
10:36 | 07 Gusht 2023

Share:

Që nga prilli i vitit të kaluar, Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit, ndonëse për këtë pozitë Këshilli Prokurorial ka propozuar Blerim Isufajn.

Për dekretimin ose jo të Isufajt, presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur. Monitorues të procesit e juristë thonë se është koha që presidentja të marrë një vendim në lidhje me propozimin për kryeprokuror shteti.

Tridhjetë është numri i kompetencave të garantuara për presidentin me Kushtetutën e Kosovës. Në mesin e tyre është edhe emërimi dhe shkarkimi i kryeprokurorit të shtetit, me propozim të Këshillit Prokurorial. Këtë kompetencë akoma nuk e ka ushtruar presidentja Vjosa Osmani, ndonëse janë bërë 16 muaj prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka propozuar për kryeprokuror të shtetit Blerim Isufajn.

Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Presidentes se kur pritet të vendoset për Isufajn dhe si arsyetohet kalimi i kohës pa vendimmarrje. Por, përkundër pritjes disa ditore, nga presidenca nuk janë përgjigjur.

Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të shtetit, thotë se ndonëse ligjërisht nuk ka një afat për vendimmarrje, është koha që presidentja të marrë një vendim.

“Ne e dimë se është edhe një çështje kushtetuese e cila është referuar nga ish kandidatët për kryeprokuror të shtetit, dhe që kjo çështje ende nuk ka marrë epilog. Mirëpo, presidentja duhet të marrë një vendim. Ne si IKD vlerësojmë se ky proces duhet të kthehet në pikën zero, për shkak se është cenuar integriteti i këtij procesi”, tha ai.

Ndërsa, eksperti i së drejtës kushtetuese, Mazlum Baraliu, thotë se çështja e kryeprokurorit të shtetit po zvarritet edhe për mungesë koordinimi ndërmjet KPK-së, presidencës dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Si është e mundur që për një vend kaq tërëndësishëm, kryeprokurorin e shtetit, si një institucion sui generis për nga rëndësia, të shtyhet kaq gjatë vendimmarrja, ndërkohë që struktura e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është aty. Pra, ish dashtë të vendoset dhe ta kemi një vendim të kushtetueses, në mënyrë që siç është deklaruar edhe vetë presidentja, që pastaj ajo të marrë vendimin e duhur. Pra, kemi jo sa duhet efikasitet, mos koordinim dhe jo përgjegjësi të duhur institucionale”, tha Baraliu.

Pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit, kompetencat e plota të kryeprokurorit të shtetit po i ushtron Besim Kelmendi.

Ndërkohë, përveç kandidatit Blerim Isufaj, në garë kanë qenë edhe Shqipdon Fazliu, Kujtim Munishi, Armend Hamiti e Lulzim Sylejmani.

Të ngjashme