Lajme
Zhvillohen homazhe në varrezat e Dëshmorëve, përkujtohet 5 maji
Demokracia
10:37 | 05 Maj 2024

Share:

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, si edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kanë zhvilluar homazhe në varrezat e Dëshmorëve, me rastin e përkujtimit të 5 majit, ditë kjo kushtuat të rënëve për atdheun.

Pjesë e ceremonisë ka qenë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, teksa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në një vizitë në Kalabri, ku prej disa ditësh zhvillon takime me Arbëreshët e Italisë.

Më herët, ka qenë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili së bashku me anëtarë të tjerë të forcës së majtë politike, ka zhvilluar homazhe.

Ai është ndalur edhe në një fjalë të shkurtër për mediat.

“Jemi këtu sepse besojmë te shenjtëria e gjakut të dëshmorëve. Besoj shumë te Atdheu, dhe Atdheu na duhet të jetojmë të lirë dhe të mos harrojmë që themeluesit e kësaj force politike 20 vite më parë, krijuan një forcë të re politike. Kjo forcë politike duhet t’i dalë zot vendit dhe mbi të gjitha atdheut. Ndaj kemi në fokus 5 prioritete kryesore për 4 milionë shqiptarë”, vlerësoi Meta.

5 maji i dëshmorëve

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në këtë ditë janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet 1960 statusi i dëshmorit u përpunua më tej duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.

Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.

Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës

Institucionet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile, si dhe organizatat e dëshmorëve në Shqipëri organizojnë çdo vit ceremoni përkujtimore me rastin e 5 Majit.

Të ngjashme