Lajme
Zhvillimet e fundit: Prishtina rrezikon të shkojë në zgjedhje, PDK-ja fajëson LDK-në për arrogancë
Demokracia
21:41 | 04 Janar 2022

Share:

Asambleja në Komunën e Prishtinës rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje nëse nuk arrihet një marrëveshje për koalicion sonte, kjo pasi 6 janari është afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Deri në këto momente, partia fituese Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka arritur asnjë marrëveshje, përkundër raportimeve se pati përafrime me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Burime të Demokracia.com brenda PDK-së bëjnë me dije se kjo parti ka kërkuar pesë drejtori dhe postin e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës dhe kjo duket të jetë njëra ndër arsyet e kësaj mosmarrëveshje.

Për këtë situatë të krijuar PDK-ja ka fajësuar LDK-në për arrogancë, duke ia kujtuar ndihmën që kishte marrë nga kjo parti për ta mposhtur Arben Vitin e Lëvizjes Vetëvendosje në balotazh.

“Sipas gjitha gjasave nëse LDK-ja nuk reflekton sonte, shkohet në zgjedhje në Prishtinë. LDK po sillet më shumë arrogancë dhe mosmirënjohje ndaj ndihmës kruciale që PDK-ja ia ka bërë për ta fituar garën e balotazhit në Prishtinë”, ka thënë ky burim për Demokracia.com.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka thirrur seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal për të mërkurën më 5 janar. Afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit është 6 janari.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 17 asamblistë në Prishtinë, LDK-ja 14, PDK-ja 9, AAK-ja 6, AKR-ja 3, LB-ja dhe Nisma nga një asamblistë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

LDK-ja dhe PDK-ja në heshtje, zgjedhja e kryesuesit në Prishtinë e paparashikueshme

Të ngjashme