Lajme
Zhvendosja e “Sunny Hill” nga Kosova dhe pengimi i tij nga Qeveria bëhet lajm në mediat e huaja
Demokracia
14:15 | 15 Qershor 2022

Share:

Moslejimi i mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë dhe zhvendosja e tij në Tiranë ka ngjallur reagimet të shumta në Kosovë dhe jashtë.

Për këtë çështje ka shkruar edhe mediumi N1, përcjell Demokracia.com.

Mediumi N1 shkruan për mbajtjen e ‘Sunny Hill Festival’ në Tiranë këtë verë.

Ata shkruajnë se festivali do të mbahet në Tiranë për shkak të vonesave nga autoritetet.

Gjithashtu, thanë se paratë do t’u kthehen atyre që nuk mund të udhëtojnë për në Shqipëri.

N1 thotë se edhe raportuesja për Parlamentin Evropian ka shprehur zhgënjim për vendosjen e festivalit në Shqipëri, duke e quajtur një gabim strategjik dhe shtoi se qeveria e Kosovës duhej të sigurohej që festivali të mbahet në Prishtinë.

Sunny Hill Festival të martën ka njoftuar se ka marrë rrugë nga Prishtina për në Tiranë. Në njoftimin e organizatorit, Dukagjin Lipa që është babai i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, tregoi se Sunny Hill është zhvendosur në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë.

Në letër Dukagjin Lipa akuzoi edhe qeverinë e Kosovës edhe disa asamblistë të Komunës së Prishtinës që dolën të jenë të Vetëvendosjes.

Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministra e Administrimit të Pushtetit Lokal doli me sqarim në lidhje me dhënien e 17 hektarëve për Sunny Hill.

Ministria që udhëhiqet nga ministri Elbert Krasniqi ka pasur një arsyetim krejtësisht banal.

“Kërkuam dokumente shtësë”, ishte sqarimi që lëshoi MAPL.

“Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhej në njoftim.

Për më shumë, MAPL e ka cilësuar lëndën e Sunny Hill, që organizohet nga Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa, si të pakompletuar.

“Anipse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”, thuhet tutje në reagimin e Qeverisë Kurti.

Një reagim tjetër erdhi edhe nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se kishin presion dhe i është kërkuar një vendim i shpejtë për Sunny Hill.

Çeku në Facebook ka shkruar se qeveria e tyre por edhe të tjerat nuk kanë të drejtë ta përdorin tokën e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, e të tjera çështje.

“Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje”, shkroi ai.

Më tej, Çeku ka thënë se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarje të llojit të njejtë, anipse tash e sa vite nuk ka asnjë ngjarje e festivale.

“Megjithatë, ne e sigurojmë publikun rinor se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, me artistë vendorë e ndërkombëtarë. Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion”, ka shkruar.

Por, organizatori i Sunny Hill, Albert Kastrati, ka reaguar ndaj qëndrimit të Qeverisë Kurti duke thënë se festivali nuk ka kërkuar tokë.

“MAPL-se i kemi propozu mos me na dhanë as tokë as kurgjo, veç me e bo ajo vet një hapësire dinjitoze për festivale, e na veç me marrë leje për organizim të festivalit. Kjo, meqë propozimi qe na me investu 7M në hapësire publike e me e lënë të hapur si PARK PUBLIK gjatë gjithë vitit për krejt qytetarët, nuk është pëlqye si propozim. Ne fakt, është kundërshtu zëshëm. Ende jemi në pritje të përgjigje”, ka shkruar Kastrati.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, në një prononcim për Nacionalen, theksoi se mbajtja e festivalit është një prestigj i jashtëzakonshëm për kryeqytetin shqiptar.

“Por, Tirana i përket dhe gjithë prishtinalive e krejt Kosovës, ndaj siç kemi festuar gjithmonë bashkë, do të festojmë dhe kësaj here. Për ne është padyshim një prestigj i jashtëzakonshëm qe në këtë vit të rëndësishëm për Kryeqytetin të mirëpresim Sunny Hill Festvial në Tiranë e bashkë me të, te presim dhe mijëra miq, vëllezër e motra nga Kosova”, shtoi Veliaj.

Ndryshe, siç ka shkruar Nacionale, një mbledhje që u mbajt javën e kaluar e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti – e ku po merrte pjesë Përparim Rama dhe disa ministra – e varrosi ëndrrën e qindra mijëra të rinjve për organizimin e Sunny Hillit në Prishtinë.

Të ngjashme