Lajme
Zhbllokimi i buxhetit për komunat, vjen reagimi i ministrit Murati
Demokracia
17:53 | 09 Gusht 2022

Share:

Ministri i Financave Hekuran Murati ka bërë të ditur se kanë ndarë buxhet rekord për komunat për vitin 2023, i cili do të jetë 15% më i lartë sesa buxheti për 2022, teksa për qarkoren buxhetore, për të cilën Bordi i Asociacionit të Komunave thotë se është vonuar, ka thënë se ajo ndahet me kohë dhe brenda afateve të parapara me legjislacion.

Në një postim në Facebook, ministri Murati thotë se kjo është rritja më e madhe vjetore që ka ndodhur ndonjëherë, dhe vjen falë performancës së mirë në rritjen e të hyrave në buxhetin e shtetit.

“Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, ashtu që ato të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët. Pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale, janë shpifje dhe aspak të vërteta. Secila komunë, për vitin aktual ka buxhetin e miratuar dhe mund të ekzekutojë pagesat pa asnjë problem”, ka shkruar ai.

Ministri Murati ka folur edhe rreth kërkesës së Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës për lëshimin e qarkores buxhetore për vitin 2023.

“Ndërsa qarkorja buxhetore për vitin 2023 ndahet me kohë, dhe çdoherë brenda afateve që parashihen me legjislacion. Vetëm dikush që nuk merr vesh fare në procesin buxhetor, mund të pretendojë se qarkoret për vitin 2023 po bllokojnë investimet në vitin 2022”, ka shkruar ai.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar dje urgjentisht nga ministri Murati që të lëshojë Qarkoren e dytë Buxhetore, e cila iu mundëson komunave të fillojnë procesin final të planifikimit buxhetor.

LEXO EDHE: 

Alarmojnë komunat, Ardian Gjini thotë se ministri Murati po e mban të bllokuar buxhetin

 

Të ngjashme