ShowBiz
Zgjidhet “dilema” e Bella Hadid: Si u kthye spërkatja në fustan prej së vërteti?
Demokracia
21:51 | 03 Tetor 2022

Share:

Pas befasisë që na dha Bella Hadid, e cila hyri në sfilatë thuajse pa rroba dhe doli me një fustan të bardhë, njerëzit kanë shumë pikëpyetje në kokë.

Si mund të kthehet spërkatësi i përdorur në një fustan prej së vërteti? Ç’magji bënë stilistët dhe ekspertët e Coperni gjatë prezantimit të koleksionit Pranverë-Verë 2023?

Në fakt teknika e spërkatjes u zhvillua nga “Fabrican”, një kompani e themeluar nga stilisti dhe shkencëtari spanjoll Manel Torres.

Likuidi i Fabrican përmban fibra pambuku ose sintetike, të cilat qëndrojnë “pezull” në një tretësirë polimeri që avullohet kur bie në kontakt me trupin. Pas veshjes, mund të hiqet dhe të kthehet përsëri në solucionin fillestar, gati për ripërdorim.

Bashkëthemeluesit e Coperni, Sébastien Meyer dhe Arnaud Vaillant kanë punuar me Torres dhe ekipin e tij në Qendrën e Inovacionit Bioscience të Londrës për plot 6 muaj për të zhvilluar fustanin e famshëm që mbajti veshur Hadid.

“Është detyra jonë si stilistë të provojmë gjëra të reja dhe të tregojmë një të ardhme të mundshme”, – u shpreh Meyer, i cili është gjithashtu drejtor kreativ i markës. “Ne nuk do të fitojmë para për këtë, por është një moment i bukur, një përvojë që krijon emocione”.

Shfaqja ishte e mbushur plot me momente virale. Coperni prezantoi gjithashtu një version solid ari të çantës së tij Sëipe, me vlerë 100,000 €; veshje dhe aksesorë holografikë me lule; copa të mbuluara me copëza xhami, etj.

Me një prezantim si ky, Coperni ka tërhequr vëmendjen e konsumatorëve të rinj të luksit anembanë botës, të cilët janë tërhequr nga ndjesia e tij e risisë dhe çmimi i aksesueshëm i luksit (çantat nga 600-1100 euro).

Të ngjashme