Lajme
Analistët për zgjedhjet serbe në Kosovë: S’duhet të shihemi si faktor destabiliteti në rajon
Demokracia
11:11 | 24 Mars 2022

Share:

Data 3 prill është dita kur pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi.

Ndërkohë që kjo datë po ofron, presioni po rritet mbi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e tyre edhe në territorin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në kontakt me ambasadat e vendeve të Quintit dhe me Bashkimin Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ditë më parë në një konferencë për shtyp të Komisionit Evropian ka thënë se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë për Demokracia.com se marrëveshje për zgjedhjet serbe nuk ka dhe ato pritet të lejohen.

“Gjykuar nga deklarimet e kryeministrit Kurti, por edhe komunikata e ashpër e QUINT-it, kjo punë ka marrë fund. Pra që marrëveshje për zgjedhje nuk ka dhe rrjedhimisht ato nuk do të lejohen. Tash nuk është e qartë nëse diskutimet për këtë çështje do të vazhdojnë dhe nëse miqtë tanë ndërkombëtar vazhdojnë të shohin hapësirë për marrëveshje në këto kushte. Nga komunikata lexohet pakënaqësia që vendet e QUINT-it kanë për refuzimin e Qeverisë së Kosovës dhe nuk ka aty asnjë element që mund të sinjalizoj vazhdimin e diskutimit”, ka thënë Ymeri për Demokracia.com.

Ymeri ka shtuar se shtetet mike që e kanë ndihmuar e vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën për shtetndërtimin e saj duhet të merren seriozisht.

“Mendoj që porosia që vjen nga shtetet mike të Kosovës të cilat e kanë ndihmuar e vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në secilin aspekt të shtetndërtimit duhet të merret seriozisht. Kjo nuk është kërkesë dosido edhe për faktin se jemi në një kohë me brishtësi të madhe në aspektin e sigurisë dhe në atë gjeopolitik. Prandaj nëse na e kërkojnë miqtë tanë një qasje konstruktive karshi organizimit të votimit për qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi edhe të Serbisë, duhet ta kuptojmë që kjo nuk është vetëm kërkesë për zgjedhje, por kërkesë për stabilitet rajonal. Dhe ta trajtojmë kështu”, ka thënë ai.

Sipas Ymerit, Kosova nuk duhet në asnjë moment të shihet si faktor destabilizimi në rajon.

“Kosova nuk duhet në asnjë moment të shihet si faktor destabilizimi në rajon, e aq më pak si shtet që i cenon të drejtat civile e politike të qytetarëve të vet ashtu siç vlerësohemi në komunikatën e QUINT-it. Kam druajtjen që një fjali e tillë bartë reperkusione të mëdha për shtetin tonë dhe demokracinë tonë”, ka shtuar Ymeri për Demokracia.com.

Ndërsa, analisti Artan Muhaxheri ka thënë se pas deklaratave të Quintit nuk ka shumë gjasa që këto zgjedhje të mbahen dhe nuk është shenjë e mirë për Kosovën të stigmatizohet.

“Pas deklaratave të Quint-it nuk ka shumë gjasa që këto zgjedhje të mbahen, pasi që duket se kryeministri Kurti ka refuzuar opsionin e dhënë nga Quint-i dhe për këtë arsye nuk do të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë. Ky nuk është lajm i mirë për arsye se Qeveria e Kosovës është dashur që ta gjej një alternativë kreative në mënyrë që të mundësohen zgjedhjet serbe në Kosovë, duke mos e cenuar sovranitetin e vendit. Mirëpo, duket që kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të bëjë kompromise dhe për këtë arsye nuk do të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Muhaxheri për Demokracia.com.

Ai ka deklaruar se për fat të keq ky vendim do të ndikojë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Për fat të keq, ky vendim do të ndikojë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës, sepse me siguri do të ketë shumë lajme për atë sesi shteti i Kosovës ua ka cenuar të drejtën fondamentale demokratike të serbëve në Kosovë dhe do të prezantohet narracioni i Serbisë. Më këtë qëndrim të Quintit, i cili ka një ndikim të madh politik, nuk është shenjë e mirë për Kosovën të stigmatizohet si e pa gatshme. Pra, si me mungesë gatishmërie që të krijojë mundësi të tjera për t’ua mundësuar serbëve votimin”, ka deklaruar Muhaxheri për Demokracia.com.

Duke e ditur plogështinë e institucioneve të Kosovës në aspektin e propagandës mediale, sipas analistit Muhaxheri, nuk ka shumë pritje që versioni kosovar dhe arsyet e Kosovës t’i mbizotërojnë propagandës serbe.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk guxon të njolloset si institucion që ua mohon pakicës serbe mundësinë e daljes në zgjedhje.

“Mendoj që kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk guxojnë të njollosen si institucione të cilat ua mohojnë pakicës serbe mundësinë e daljes në zgjedhje. Natyrisht se ekzistojnë alternativa e mundësi. Natyrisht që askush nuk kërkon nga kryeministri Kurti ta cenojë legjitimitetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, por ekziston përshtypja që ka mundur të gjendet një rrugë e mesme, e cila do të ishte e dobishme për të dyja palët, edhe për palën serbe, edhe për palën kosovare”, ka thënë Muhaxheri për Demokracia.com.

Ndryshimi mes zgjedhjeve të 3 prillit dhe referendumit të mëhershëm serb është i madh, sipas Muhaxherit, pasi që zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë, ndërsa referendumi ka të bëjë më rendin kushtetues.

“Zgjedhjet nuk janë ndonjë problem politik për dallim nga referendumi që është më i thellë dhe ka kontekst tjetër”, ka thënë Muhaxheri.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të Serbisë që janë organizuar për komunitetin serb edhe në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë, ka grumbulluar votat, praktikë kjo e krijuar që nga viti 2017.

OSBE-ja ka grumbulluar votat e serbëve të Kosovës pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa ato më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë./Demokracia.com/

Të ngjashme