Lajme
Zgjedhjet e reja | Ku po mbështetet Osmani që kërkon t’ua ndërpresë mandatin 4 kryetarëve dhe të mundësojë kthimin e serbëve në komuna
Demokracia
21:09 | 01 Qershor 2023

Share:

Franca dhe Gjermani kanë kërkuar sot nga Kosova që në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan të mbahen zgjedhje të reja.

Kjo u bë e ditur pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emanuel Macron, shkruan Demokracia.com.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.

Ai tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.

Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta iniciojnë qytetarët serbë të komunave veriore. Ajo ua tregoi serbëve mënyrën se si t’ua ndërpresin mandatin katër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, shkruan Demokracia.com.

“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo për të hedhur poshtë zgjedhjet e 23 prillit, ku fitues dolën katër shqiptarë dhe për të kthyer serbët në komunat veriore e ka cituar nen 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale që tregon se si mund të largohet një kryetar.

“Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës”, thuhet në ligj.

Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në këtë ligji.

Katër kryetarët shqiptarë të dalë në zgjedhjet e 23 prilli kanë mandat deri më 2025, po aq sa 34 kryetarët e tjerë të komunave të Kosovës..

Kujtojmë që protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Pas mosdëgjueshmërisë së Kurtit, SHBA e ndëshkoi Kosovën duke i vënë sanksione. Kosova u përjashtua nga “Defender’23”, SHBA ndali lobimin për Kosovën, u anuluan vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Kosovë. Madje kryeministri Kurti me gjuhë të rëndë sulmoi sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, duke i quajtur deklaratat e tij të ngutshme e naive.

A ja ka vlejtur e gjithë kjo kur Kosova pranon të shkojë sërish në zgjedhje?

Të ngjashme