Lajme
“Zero relevancë”, “Gabim”: Konjufca dhe Bislimi kundërshtuan draftin e Ramës për Asociacionin, Kurti heshtë
Demokracia
21:35 | 10 Qershor 2023

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndezur debat të madh në opinionin publik të Kosovës pasi hartimit të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Iniciativa e kreut të qeverisë shqiptare është pritur me pranim dhe kritika të ndryshme nga politikanët kosovarë. Ndërsa Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar pranimin e draft-statutit, kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë propozim.

Me draft-propozimin për Asociacionin, kryeministri Rama ka shkaktuar një valë reagimesh në skenën politike kosovare. Kritikat e mëdha erdhën nga eksponentët e pushtetit të cilët e kundërshtuan nismën e Ramës. Megjithatë, është i pari i Qeverisë së Kosovës ai i cili ende nuk është shprehur rreth kësaj çështje.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje draft-statutin për Asociacion, të cilin e ka propozuar Edi Rama.

Derisa po merr pjesë në ceremoninë e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti është pyetur nga gazetarët për këtë çështje.

Duke i ikur përgjigjes, ai ka thënë se lidhja është gjallë dhe e fortë.

“Jemi këtu në Prizren, në kryeqytetin historik e kulturor. Siç po e shini të dy presidentët janë këtu, ministra e deputetë. Lidhja është gjallë edhe e fortë.” – ka thënë Kurti nga Prizreni, raporton Ekonomia Online.

Ndryshe nga Kurti, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi është deklaruar rreth kësaj çështje, ku e ka konsideruar draft-statutin e Ramës si “zero relevantë”

Bislimi në një intervistë për Al Jazeera Balkans ka thënë se këto negociata janë mes Kosovës dhe Serbisë dhe në rast se kanë nevojë për përkrahje, do të kërkonin ndihmë.

“Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë drjet normalizimit të marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë…në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore ky propozim ka zero relevancë.” – ka deklaruar ai.

Për draftin e kryeministrit Rama ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili e ka konsideruar si gabim.

Sipas Ekonomia Online, Konjufca ka deklaruar se veprime të tilla nuk duhej bërë pa u biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës.

“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm.” – ka thënë ai.

Kurti e Rama “s’flasin”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama ende nuk kanë diskutuar në lidhje me vendimin e këtij të dytit, që ta dorëzojë një draft-statut rreth Asociacionit.

Rama në një intervistë për Nacionalen, të premten tha se ky është kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër.

“Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet.” – tha ai.

Ndryshe sipas kryeministrit Edi Rama, draft statuti i cili ende nuk është publik dhe nuk dihet se çfarë përmban, është punuar nga “ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë”.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociaoinit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.” – tha ai të enjten, derisa dha lajmin në lidhje me këtë çështje.

Të ngjashme