ShowBiz
Zbulohet kallëzimi i Luana Vjollcës në polici për fansin i cili i dërgonte mesazhe kërcënuese
Demokracia
16:59 | 05 Shkurt 2021

Share:

Para pak ditësh mediat raportuan për mesazhet kërcënuese që një fans ia dërgonte moderatores nga Shqipëria, Luana Vjollca.

Moderatorja e kishte paraqitur në polici rastin, ku ka kërkuar ndihmë për faktin se ajo dhe familja e saj ndiheshin të frikësuar.

Tani “Panorama” ka paraqitur kallëzimet e saj penale për Ajdin Morina, personin, i cili është duke e mbajtur në ankth e frikë që nga muaji shkurt i vitit të kaluar.

Personi në fjalë kishte pritur për orë të tëra para apartamentit të saj, duke e pritur me orë të tëra dhe duke i dërguar meazhe të shumta. Hera e fundit kur ai ishte para banesës së saj ishte me 31 janar të këtij viti, pas të cilit pasoi arrestimi.

Po sjellim për ju dy kallëzimet e moderatorës të cilat janë bërë pas arrestimit.

 

KALLËZIMI I PARË, DATË 29.05.2020

 

Në Tiranë, më 29.05.2020, unë Ajet Begaj, oficer i Policisë Gjyqësore, në bazë të nenit 283 të K. Pr. Penale, mbaj këtë procesverbal për kallëzimin me gojë të veprës penale nga shtetasja Luana Vjollca, e bija e Seit e Marie, lindur më 02.09.1991, në Tiranë, arsim i lartë, gjendja familjare beqare, Njësia Administrative Farkë, Tiranë, e padënuar. Pasi iu shpjegua përgjegjësia penale në rast kallëzimi të rremë, sipas nenit 305 të Kodit Penal, me vullnetin e saj të lirë, shtetasja Luana Vjollca deklaroi:

 

Jam me banim në adresën e mësipërme dhe sot jam paraqitur për të kallëzuar përndjekjen, e cila është duke m’u bërë nga shtetasi Ajdin Morina, i datëlindjes 09.04.1992, lindur në Kosovë. Para fillimit të pandemisë kam qenë duke u përgatitur për një audicion në televizionin “Top Channel”, i cili do të titullohej “Take me out” dhe në këtë emision do të merrnin pjesë disa persona, ndërmjet tyre edhe shtetasi A.M nga Kosova, pasi ky emision nuk kishte kufizime origjine të konkurrentëve, të cilët mund të vinin edhe nga trevat shqiptare jashtë kufijve.

Për shkak se filloi epidemia e virusit, audicioni u ndërpre dhe ky emision u pezullua, aktualisht nuk është duke u bërë asnjë zhvillim. Më datë 15.02.2020, në audicionet e programit u paraqit shtetasi Ajdin Morina, i cili para se të futej në audicion është shprehur te një vajzë e stafit që për momentin nuk mbaj mend se cila nga vajzat ishte, së cilës i kishte thënë: “Kam ardhur vetëm për të takuar Luanën”.

 

Në këtë bisedë që shtetasi A.M kishte zhvilluar me vajzën e stafit nuk kam qenë prezent dhe as në audicionin që ai kishte zhvilluar, por në rezymenë e fundit që iu bë audicionit u mor një vendim që ky të mos pranohej në audicion, i cili qe vendim i brendshëm që nuk i është komunikuar shtetasit Ajdin Morina. Ju sqaroj se disa audicione të këtij emisioni do të zhvilloheshin në qytetin e Prishtinës, në Kosovë dhe konkretisht një javë më pas, më datë 22.02.2020, ky person është paraqitur sërish për të dhënë audicion edhe aty përsëri i ka treguar stafit se kishte ardhur për të takuar Luanën. As në këtë rast nuk jam takuar me këtë person.

Më datë 12.03.2020, në orët e para të ditës, shtetasi A.M është paraqitur te televizioni “Top Channel”, në fshatin Kashar dhe pasi ka hyrë brenda televizionit, ka marrë kontakt me një punonjës sigurie, të cilit i ka kërkuar të marrë kontakt me mua dhe ka qëndruar aty deri në mbrëmje duke më pritur. Në dijeninë time, në këtë rast është njoftuar Policia për këtë shtetas, por atë kohë unë nuk kisha bërë një kallëzim penal dhe pasi është kontaktuar nga Policia, ai është lënë i lirë.

 

Po ky shtetas ka ardhur edhe disa herë të tjera te televizioni “Top Channel”, datat nuk i kam fiksuar, por nga ana e personelit të sigurisë nuk është lejuar të futet brenda. Edhe në këto raste ai ka kërkuar të takohet me mua. Ju sqaroj se ky shtetas ka qenë edhe te kompleksi i banimit dhe konkretisht më datë 20.05.2020, roja i kompleksit më ka komunikuar në telefon, i cili më tha se ka ardhur një shtetas, A.M dhe kërkonte me insistim të takohej me mua. Edhe në këtë rast është njoftuar Policia.

 

Po nga roja i kompleksit kam marrë informacion se shtetasi A.M ka ardhur edhe disa herë të tjera te kompleksi i banimit.

 

Që nga data 15.02.2020, shtetasi A.M dërgon në adresën e e-maili-it të punës mesazhe thuajse çdo ditë. Këtë adresë e ka gjetur nëpërmjet rrjetit social “Instagram”, të cilën e kam publikuar vetë.

 

Gjithashtu, më datë 20.05.2020, ky shtetas nëpërmjet email-it më ka dërguar një foto të apartamentit ku jetoj dhe poshtë saj shkrimin: “Për 30 minuta jam aty…” dhe kërkonte takim.

 

Nga përmbajtja e disa e-mail-eve kam vërejtur që personi tregon se sa më do, mesazhe të cilat janë bërë shqetësuese, më kanë cenuar privatësinë dhe jetën normale. Këto mesazhe që ky shtetas më ka dërguar në adresën e e-mail-eve, si edhe ardhja në kompleksin e banimit, kërkesat e vazhdueshme për takim, më kanë bërë të ndryshoj mënyrën e jetës. Më kanë bërë të frikësohem për jetën duke mos u ndjerë e sigurt, duke më shkaktuar një gjendje ankthi dhe frike, pasi ky shtetas po më ndjek në mënyrë të përsëritur. Për këtë gjë kam marrë një roje personale dhe herë pas here shkoj në banesën e mamasë.

 

Pyetje: A njiheni ju me shtetasin A.M dhe nëse po, në çfarë rrethanash njiheni me këtë shtetas?

 

Përgjigje: Shtetasin A.M nuk e njoh. Gjeneralitetet e tij i kam mësuar për shkak të audicionit që do të zhvillohej në televizion. Nuk jam takuar kurrë me këtë shtetas dhe as kam pranuar ndonjëherë ta takoj. Ky shtetas në formularin e aplikimit të audicionit ka lanë si mënyrë kontakti numrin +38345285XXX.

Të ngjashme