Lajme
Rusia për miratimin e rezolutës së Srebrenicës: Qëllimi është të demonizohet një komb
Demokracia
18:26 | 23 Maj 2024

Share:

Përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë se sot janë dëshmitarë të një kapitulli të trishtuar të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), sepse qëllimi ishte demonizimi i një kombi të ish-Jugosllavisë dhe minimi i Marrëveshjes së Daytonit.

Pas miratimit të rezolutës për Srebrenicën, Nebenzya ka thënë se ajo nuk u miratua me numrin e votave që sponsorët kishin shpresuar, sepse më shumë vende ishin kundër ose abstenuan sesa pro.

Sipas përfaqësuesit rus, është krejtësisht e papërshtatshme të bëhet një paralele në mes të projekt-rezolutës për gjenocidin në Ruanda dhe projekt-rezolutës për Srebrenicën, “sepse drafti i parë kishte pëlqimin e Bashkimit Afrikan, para shqyrtimit në OKB”.

Ai deklaroi se në rastin e rezolutës për Srebrenicën, “grupi i miqve” e paraqiti draftin si produkt përfundimtar, si çështje “merre ose lëre, pa diskutim me popujt përbërës të Bosnjë-Hercegovinës”.

“Rusia e sheh rezolutën si kërcënim për paqen në rajon dhe se është veçanërisht cinike që Gjermania e propozoi rezolutën. Gjermania nuk ka autoritet moral për të përmendur gjenocidin, ajo mund të përmend vetëm krimet e veta të tmerrshme”, ka thënë Nebenzya.

Ai vlerësoi se miratimi i rezolutës ishte si “fitorja e Pirros” me qëllim përçarjen e anëtarëve të OKB-së.

Të ngjashme