Lajme
Zbatim të marrëveshjeve” dhe “çështje aktuale” | Brukseli njofton zyrtarisht për “degradimin” e dialogut të Kurtit në çështje të brendshme të Kosovës
Demokracia
10:09 | 13 Shtator 2023

Share:

“Takimi i 14 shtatorit në Bruksel do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe për çështjet aktuale”.

Me një fjali të vetme, Bashkimi Evropian ka njoftuar për agjendën e takimit të radhës ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Ndonëse njoftimi është i shkurtër, në thelb tregon shumçka për nivelin e temave në të cilat ka rënë ky dialog pas marrjes së drejtimit nga kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.

Me togëfjalëshin “çështje aktuale”, lë të kuptohet se në takimin e së enjtes, në Bruksel do të diskutohet për tema që kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, të cilat ndërlidhen me hapat për de-përshkallëzimin e situatës së sigurisë në veriun e Kosovës.

Në mesin e këtyre hapave që janë përmendur vazhdimisht është edhe ndërprerja e parakohshme e mandatit të katër kryetarëve shqiptarë të komunave veriore, një çështje që është ekzkluzivisht e zgjidhur me legjilacionin e Republikës së Kosovës.

Me togëfjalshin “Zbatimi i Marrëveshjes”, Brukseli zyrtar i referohet Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksit të Ohrit (18 mars 2023), në të cilat, siç ka njoftuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një intervistë për median serbe, Danas, më 9 shtator 2023, “nuk ka njohje formale dhe ky ështe një lëshim i madh i Kosovës”.

Me Marrëveshjen Bazë, kryeministri Kurti ka rënë dakord që (neni 7) “të sigurojë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” dhe që “palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Njëkohësisht, me pranimin e kësaj marrëveshje, sipas nenit 10, Kurti ka rënë dakord që të themelojë Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, shumë e kundërshtuar prej tij si opozitar.

“Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, thuhet në nenin 10 të Marrëveshjes Bazë.

Ndërkaq, me pranimin Aneksit të Ohrit (18 mars 2023), Kurti ka rënë daord që obligimet e marra të bëhen pjesë integrale e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropinan, duke e ndërlidhur të ardhmen evropiane të Kosovës me zbatimin e Marrëveshjes Bazë.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në këtë Aneks. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Si e humbi Kurti njohjen nga Serbia? | Kurti zhvlerësoi dialogun, nga kërkesa ndërkombëtare për njohje ai kaloi në diskutime për çështje të brendshme të Kosovës

Të ngjashme