Lajme
DOKUMENTE | Pa marrëveshje me “Pastrimi”-n, Përparim Rama angazhoi biznesmenin e afërt me LDK-në për mbeturinat në kryeqytet
Demokracia
13:17 | 07 Maj 2024

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, fillimisht e shkarkoi Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, me arsyetimin se nuk bëri sa duhet për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Pastaj e shpalli gjendjen emergjente për praninë e bërllokut në kryeqytet. Pas këtyre dy proceseve, komuna që udhëhiqet nga LDK-ja e përzgjodhi me procedurë emergjente një kompani që është në pronësi të një biznesmeni të afërt me LDK-në.

Tash mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet, pos Kompanisë Rajonale Publike “Pastrimi”, po e bën edhe një kompani private.

Mbeturinat në kryeqytet, deri më tani, sikurse edhe në krejt rajonin e Prishtinës, i ka mbledhur “Pastrimi”, aksionar i të cilës me më së shumti aksione është Kuvendi i Komunës së Prishtinës. Demokracia.com ka mësuar se kryetari Përparim Rama nuk e ka njoftuar fare kompaninë publike në takim për të bërë dakordimin rreth menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, se në cilat pjesë do të jetë privatja e në cilat publikja. Madje, ky moskoordinim, para disa ditësh ka prodhuar edhe një zënkë në mes të punëtorëve të dy kompanive, ngase dy palët kanë shkuar tek të njëjtit kontejnerë.

Demokracia.com nuk ka marrë përgjigje nga Komuna Prishtinës dhe as nga “Pastrimi” lidhur me atë nëse ka pasur një marrëveshje para se të futej në operim kompania private dhe sesi janë ndarë zonat e grumbullimit.

Kompania private mësohet se po bënë mbledhjen e mbeturinave në disa lagje rreth qendrës së Prishtinës.

Cila është kompania private?

Para pak ditësh, Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë për “Ofrimin e makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave komunale”.

Me kontratë është shpërblyer konzorciumi “ALKO – IMPEX – General Constuction – Sh.p.k”.; “N.T.SH. Krasniqi”. Vlera e tenderit për një vit është 1 milion euro.

Pronar i kompanisë “Alko Imex” është Imer Ademi, një biznesmen që tradicionalisht ka qenë i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas fotografive që i ka të publikuara në Facebook, Ademi në të kaluarën është parë në shumë tubime të LDK-së.

Procedura sesi u realizua ky tender është e dyshimtë, sepse Komuna e Prishtinës u kërkoi ofertat tri kompanive dhe në fund e shpërbleu atë që ofertoi me çmimin më të lirë për njësi.

Pra, kompania vendosi që të dërgoi ofertën me procedurë të mbyllur dhe tek dy kompanitë e tjera, “Company Murseli” dhe kompania “2 A Group”, e cila e kishte ftuar në konzorcium kompaninë “Via Egnatia”.

Dihet se pronar i kompanisë “2A Group” është Valon Ademi, i cili është djali i Imer Ademit, biznesmenit të “Alko Impex”. Por, kontrata i ishte dhënë babait dhe jo të birit, pasi ai kishte ofertuar me çmim shumë më të lirë, anise të dy e ndajnë një kulm të shtëpisë në Prapashticë të Prishtinës.

Shkelja dhjetëmujore për tenderin 1.5 milionësh për furnizim me 8 kamionë për mbeturina

Në korrik të vitit 2023, prokurimi i Komunës së Prishtinës ka hapur tender për “Furnizimin me pajisje për pastrimin e kryeqytetit”. Bëhet fjalë për 8 kamionë të përshtatshëm për zbrazjen e kontejnerëve, të cilët do të dërgoheshin tek kompania ”Pastrimi”. Vlera e parashikuar e kontratës është 1.5 milionë euro.

Më 27 tetor 2023, prokurimi i Komunës së Prishtinës e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve “D&T Group” Shpk; “Kosova Motors J.S.C”, me vlerë të ofertës 1,250,800.00 euro. Vendimi është nënshkruar nga menaxheri i prokurimit, Visar Shehu, i cili është vendosur në krye të prokurimit me aktemërim të kryetarit Përparim Rama.

Demokracia.com ka mësuar se kompania D&T që është përzgjedhur si kompani fituese në tenderin rreth 1.5 milionë euro në Komunën e Prishtinës ka histori të pasur për dyshime për falsifikim. Bledar Kusari, drejtori i kësaj kompanie është i akuzuar për mashtrim në prokurim publik e falsifikim. Ministria e Shëndetësisë para pak javësh ka bërë kërkesë që të futet në listë të zezë për shkak se në konzorcium me një kompani tjetër kanë konstatuar se ka falsifikuar në tenderin për blerjen e autoambulancave. Dy vite më parë ishte liruar nga një aktakuzë për shkak të parashkrimit dhe vdekjes juridike të një rasti.

Në tetor të 2023, ndaj të njëjtit ka filluar një proces ligjor. Ai akuzohet për falsifikim e mashtrim në prokurimin publik në lidhje me kompaninë ‘’D&T”. “I akuzuari Bledar Kusari ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, ashtu që gjatë një ofertë për dhënien e kontratës së prokurimit publik ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues, me çka ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 par.1 të KPRK-së. Në dispozitivin e tretë të kësaj akuze, i akuzuari Bledar Kusari përpilon dokumentin e falsifikuar në emër të biznesit ‘’Florida’’ SH.P.K, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal për biznesin e tij ‘’D&T Group’’ SH.P.K, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për tenderim, me çka ka kryer veprën penale: Falsifikim i dokumentit nga neni 390 par.1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë. Në fundin e vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë ka konstatuar se e njëjta kompani në konzorcium edhe me një kompani tjetër ka falsifikuar dokumentet për tenderin e blerjes së autoambulancave.

Kjo vërtetohet nga një shkresë e këtij institucioni dorëzuar në OSHP, ku kërkohet që kjo kompani të futet në listën e zezë.

Pas vendimit të komunës për të rekomanduar për kontratë këtë konzorcium ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Dy kompani e kanë fituar rastin në ‘Gjykatën e tenderëve’, nën pretendimin se Zyra e Prokurimit ka bërë dallavere kur ka rekomanduar për kontratë operatorin e lartpërmendur.

Paneli i OSHP-së ia ka miratuar ankesat veç e veç të dy kompanive dhe ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.

1.Sipas ankuesit “N.P.T. “Haxhijaha” SHPK, GOE të rekomanduar për kontratë, nuk ka saktësuar modelin e superstrukturës me të cilën ka ofertuar [pa nevojë për t’i përsëritur sërish nga ky aspekt pohimet ankimore] duke e atakuar posaçërisht Vendimin e Komunës në kontekstin e përputhshmërisë së katalogut, në vështrim të pikave 9.1 & 9.2 te FDT.

2.Po ashtu edhe ankuesi “Vibtis” në raportin e ekspertit shqyrtues përkitazi me këtë ankesë, pretendohet se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë plotësuar kërkesat e DT, duke theksuar se makineritë e ofruara i takojnë dy prodhuesve të ndryshëm, rrjedhimisht nuk është plotësuar kërkesa e kapacitetit teknik, duke theksuar më tej se kompanitë kanë dorëzuar katalog me të dhëna të pasakta që dallojnë nga të dhënat e prodhuesit.

Duke marrë parasysh këto gjetje, OSHP-ja e urdhëroi komunën që të bëjë rivlerësimin edhe një herë të këtij procesi.

 

 

Kështu edhe veproi Komuna e Prishtinës. Vendosi që të vlerësoi nga fillimi tenderin. Në vendimin e datës 23.02.2023, prokurimi i Prishtinës vendosi që të bëjë anulimin e krejt aktivitetit të prokurimit më arsyetimin se asnjëra nga ofertat nuk është e përgjegjshme.

Më këtë vendim nuk është pajtuar kompania VIBTIS, Dega në Kosovë. Konkretisht nuk është pajtuar me arsyetimin e komunës kur ka eliminuar ofertën e tyre, andaj ka deponuar ankesë, e cila i është hedhur poshtë nga Komuna e Prishtinës. Të njëjtën më pas e ka deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Më 29 mars 2023, një ekspert i autorizuar nga Paneli i OSHP-së shoshiti provat e ankesës dhe gjeti se komuna kishte bërë vlerësim të kundërligjshëm në rastin e kompanisë në fjalë, andaj rekomandoi që të anulohet njoftimi për anulimin e kontratës dhe tenderi të kthehet përsëri në rivlerësim.

Paneli i OSHP-së akoma nuk është mbledhur për ta gjykuar raportin e ekspertit të vet.

Por, nga veprimet e deritashme, dyshimet çojnë në atë drejtim se komuna është e interesuar të shpërblejë grupin e kompanive që e kishte shpërblyer herën e parë ose ta dështojë komplet tenderin që kamionët mos të shkojnë tek “Pastrimi”. /Demokracia.com/

Të ngjashme