Lajme
Wagner avancon drejt Moskës, Prigozhin dhe Putin betejë deklaratash
Demokracia
12:18 | 24 Qershor 2023

Share:

Konflikti i zjarrtë midis udhëheqjes në Moskë dhe shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në një kryengritje të hapur që e zhyt Rusinë në pasiguri dhe ka rikthyer hijet e luftës së përgjakshme civile të 1917.

Prigozhin pas Rostovit pretendon se gjatë orëve të para të së shtunës ka marrë nën kontroll edhe objektet kryesore ushtarake në qytetin e Voronezh, që gjendet rreth 310 milje larg Moskës, duke synuar tashmë kryeqytetin.
Prigozhin tha në një video se ai ndodhet në Rostov-on-Don, në Rusinë jugore, afër kufirit me Ukrainën, dhe se forcat e tij kanë kontrollin e objekteve ushtarake dhe aeroportit atje.

Ai u zotua të bllokojë Rostovin dhe të shkojë në Moskë nëse ministri rus i Mbrojtjes dhe gjenerali i lartë nuk takohen me të në qytet, ku është selia e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.
Rostov-on-Don është pikë strategjike sepse selia e tij ushtarake koordinon operacionet në Ukrainë, ka thënë një ish-oficer i inteligjencës së ushtrisë britanike.

Lëvizja e Prigozhin vjen pasi ai tha se luftëtarët e tij po hynin në rajonin e Rostovit të premten dhe se Garda ruse dhe policia ushtarake i janë bashkuar grupit Wagner, por CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tij.

Sakaq fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale, kryesisht në Telegram tregojnë trupat e Wagner që kanë vendosur nën kontroll të plotë Rostovin, me ushtarë të armatosur rëndë dhe tanke e blinda që kanë rrethuar godinat kryesore.

Fotot tregojnë automjete ushtarake në rrugë dhe në mëngjes herët ka pasur raportime për helikopterë që ishin ngritur mbi qytet.

Grupi Wagner më vonë tha se kishte marrë kontrollin e objekteve ushtarake ruse në qytetin e Voronezh, në Rusinë jugperëndimore, duke thënë se “ushtria po kalon në anën e njerëzve“. Më herët, guvernatori i rajonit Voronezh tha se “një kolonë me pajisje ushtarake po lëviz përgjatë autostradës federale M-4”, e cila lidh Voronezh-in dhe Rostov-on-Don.

Prigozhin në krahun tjetër pretendoi po ashtu se një helikopter qëlloi një kolonë civile dhe u rrëzua nga forcat e tij, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai akuzoi shefin e shtabit të ushtrisë ruse se kishte urdhëruar një sulm ajror “në mes të makinave civile”. Më vonë, ai tha se njësitë e tij u goditën nga një helikopter në një autostradë.

Prigozhin akuzon Rusinë për vrasjen e ushtarëve të tij dhe po e quan rebelimin një “marshim drejtësie” dhe jo një grusht shteti siç pretendon Kremlini, ndërsa thotë se të 25 mijë ushtarët e tij janë gati të vdesin pë popullin rus.

“Ne vazhdojmë, do të arrijmë në fund. Ne do të shkatërrojmë këdo që na pengon. Ne të gjithë jemi gati të vdesim, të 25,000. Dhe pastaj do të ketë 25,000 të tjerë. Sepse ne do të vdesim për atdheun, do të vdesim për popullin rus, i cili duhet të çlirohet nga ata që bombardojnë popullsinë civile”, kërcënoi Prigozhin në mesazhin audio në Telegram./A2CNN

Të ngjashme