Lajme
“VV-ja nuk merr pjesë”: A u “zbyth” Kurti pas kritikave të Ahmetit për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut?
Demokracia
11:06 | 23 Janar 2024

Share:

Dje nga Shkupi, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dha një deklaratë interesante, që dukej si një “tërheqje” në lidhje me zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. Në deklaratën e tij, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje “nuk është e regjistruar” në shtetin fqinj, andaj nuk është se garon në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. A u “zbyth” Kurti pas kritikave publike të Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së?

Gjatë qëndrimit të tij, Kurti bëri dy “gjeste”, që mund të lexohen si tentim për “tërheqje taktike” nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut. I pari “gjest” ishte një deklaratë, në të cilën Kurti tha se Vetëvendosja nuk është formalisht e regjistruar në Maqedoni të Veriut. Tutje, Kurti tha se VV-ja “nuk merr pjesë” në zgjedhje, ndonëse përmendi se VV-ja ka zyrtarë e aktivistë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu” – deklaroi Kurti, të cilit qëndrim i bëri jehonë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit nga Maqedonia e Veriut.

Në këtë deklaratë, Kurti foli më shumë për “pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje”, pa ofruar asnjë mbështetje për ndonjë parti politike.

“Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa ma të lartë në zgjedhje, sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me një përqindje prej 29%, nëse nuk gaboj, dhe natyrisht që duhet të vendosin ata vetë se a do të ketë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, shtoi Kurti.

Ndërsa “gjesti” i dytë lidhet me një takim. Kurti, bashkë me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, e takuan Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Në postimin e tij, Kurti sërish foli me një gjuhë më përbashkuese.

“Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie.” – shkroi Kurti.

Javën e kaluar, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, e kritikoi ashpër Kurtin për përfshirjen në politikën e brendshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për “Top Channel”, Ahmeti u ankua se Kurti, për dallim nga Rama, po ndërhynte në Maqedoninë e Veriut.

“Natyrisht që ka pasur, p.sh. kur ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, zoti Kurti mbajti anë. Doli në përkrahje të një pjese të partive politike në Maqedoni, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për zgjedhjet presidenciale, në mbështetje të një presidenti konsensual, që ishte zoti Pendarovski në atëkohë, para pesë vitesh dhe ne nuk e kemi bërë në mënyrë niave dhe as nuk kemi shprehur patriotizëm emocional apo folklorik, por jemi dakorduar me zotin Pendarovski për detyrimet që do t’i ketë” – deklaroi ai, transmeton Nacionale.

Madje, në fjalën e tij, Ahmeti deklaroi se Kurti e ka “vendosur” në një pozitë të vështirë.

“Unë nuk e di që ka regjistruar parti, e di që shumë nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim për çfarë arsye z. Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni, por kam thënë se tani kjo është demokracia. Më kanë vendosë në një situatë goxha të vështirë, por mirë, atëherë, pse z.Kurti ankohet, kur Vuçiqi bën aktivitete politike në Kosovë? Si na shpjegoni ju neve këtë punë? Më kanë lënë gati edhe pa tekst me shumë pyetje” – tha Ahmeti në “Top Channel”.

Nuk dihet nëse kritikat e Ahmetit kanë ndikuar në “zbutjen” e qëndrimeve të Kurtit. Megjithatë, Ahmeti ishte vendosur në fokus të kritikave nga ana e këshilltarëve dhe njerëzve të Kurtit pas këtyre deklaratave.

Të ngjashme