Lajme
VV-ja në mbështetje të kandidatit të Sali Berishës për Tiranën
Demokracia
17:06 | 08 Maj 2023

Share:

Boiken Abazi, aktivist i VV-së nga Tirana, ka befasuar opinionin me mbështetjen që i dha kandidatit të Sali Berishës dhe Ilir Metës për Tiranën. Por, duket se në këtë mes ka diçka më shumë që na shpalos edhe shuarjen e VV-së në Shqipëri.

Mbështetja që Abazi i dha Belind Këlliçit për zgjedhjet e Tiranës ishte befasuese marrë parasysh që në garë është edhe Lëvizja Bashkë dhe Arlind Qori, të cilët janë aleatë të VV-së në Shqipëri.

“Vota për kryetar: Belind Këlliçi, si mundësi për të çbetonizuar sundimin 10-vjeçar mbi Shqipërinë,” – shkruante dje  Abazi.

Ai më tej, në disa komente ku i kërkohej llogari për këto fjalë, kishte lënë të nënkuptohej mes tjerash edhe se projekti i VV-së në Shqipëri kishte dështuar.

“… vazhdimi i projektit në Shqipëri nuk varej prej meje.” – thoshte Abazi. Ai nuk tregonte pse nuk po mbështeste z. Arlind Qori në këtë garë komunale.

Çka ndodhi me VV-në e Shqipërisë?

VV nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Sidoqoftë, kjo parti politike iu kishte dhënë mbështetje tre kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në atë kohë, përveçse garonte për t’u bërë deputet, Boiken Abazi ishte edhe Drejtor Ekzekutiv i VV-së në Shqipëri.

Por, gjërat shkuan keq dhe Abazi me kandidatët tjerë nuk morën vota.

Vetëm më 20 tetor të vitit 2021 ai do të njoftonte se kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të VV-së në Shqipëri.

“Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet.” – u shpreh z Abazi.

Ai njoftonte se e kishte kaluar të dielën bashkë me Albin Kurtin në selinë e VV-së duke i ndjekur rezultatet e zgjedhjeve lokale të vjeshtës së vitit 2021.

Megjithatë, për hapat e ardhshëm në Shqipëri opinioni nuk u njoftua se çka kishte ndodhur, shkruan Nacionale.

Nga aktivistët e VV-së në Shqipëri, Hysamedin Feraj është emëruar këshilltar politik i kryeministrit Kurti. Dejona Mihali ka vazhduar të ketë rol të rëndësishëm brenda partisë në pushtet, dhe është akuzuar se përzihet madje edhe në punët që s’i takojnë, siç është Grupi Parlamentar i Partisë. Elvis Hoxha që ishte këshilltar i Kurtit në Qeverinë Kurti I nuk dihet se me çka po merret. Ashtu siç nuk dihet as për aktivistin tjetër Arbër Zaimi.

Në faqen e VV-së Qendra Shqipëri që ishte shumë aktive dikur, kujtojmë se nuk ka asnjë postim të vetëm që nga data 20 tetor e vitit 2021.

Kujtojmë se në disa deklarata për media, kryeministri Kurti që është edhe kryetar i VV-së kishte thënë që VV-ja në Shqipëri kishte “autonomi të plotë”.

Të ngjashme