Lajme
Vuçiqit i shkojnë huq pritshmëritë për “mirëkuptim” nga kreu i NATO-s, ky i fundit ia nxjerr statistikat e dhunës ndaj KFOR-it
Demokracia
18:26 | 20 Korrik 2023

Share:

Edhe për vëzhguesin më të pakujdesshëm ose të painteresuar në ngjarje politike, melo-dramaticiteti i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mese i dukshëm. Duke qenë një politikan me jetëgjatësi politike mëse afro 30 vjeçare e ku në CV-në e tij e ka të nënvizuar të kaluarën e tij si Ministër i Propagandës në regjimin e famëkeqit Sllobodan Millosheviq, ai tashmë e administron vetë propagandën duke i pasur pothuajse të gjitha mediat serbe (ato me shikueshmëri dhe lexueshmëri të madhe) nën kontroll.

Ditëve të fundit ai i ka shfrytëzuar frekuencat kombëtare televizive serbe dhe ato të shkruara (tabloidet që shesin nga afro 50 mijë kopje fizike në javë) për të përçuar “rëndësinë” që takimi i tij me Sekretarin Gjeneral të NATO’s, Jens Stoltenberg, do të kishte. Ky takim ndodhi të mërkurën. Para se të shohim si i shkoi (e që s’i shkoi hiç mirë), le të lexojmë investimin e tij gati dy-javor medial për t’i dhënë ngjyrime të një “rëndësie tejet të madhe” këtij takimi.

Do ta niste me një konferencë për media – si zakonisht skajshmërisht viktimizuese – ku do të njoftonte (për kush-e-di-të-satën-herë) për vendime të rëndësishme ditëve në vijim, si kundërpeshë e asaj që ai e paraqiste për “spastrim të heshtur etnikë” të serbëve në Kosovë nga politikat shtetërore të Prishtinës. Këtu ai do përsëriste fjalët që i ka tashmë të automatizuara si “pogrom”, “persekutim”, “spastrim etnik…të planifikuar…të mirëorganizuar”.

Këtë linjë morbide të narracionit të tij, ia përqafoi vetëm Federata Ruse, përmes ambasadorit të tyre në Beograd, Aleksandar Boçan Harçenko dhe zëdhënëes së Ministrisë ruse të Jashtme, Maria Zakharova; të cilët pajtoheshin “me secilin rresht” të Presidentit të Serbisë.

Serbia, thoshte Vuçiq, mund të nis “aktivitete të vështira”, të paspecifikuara, nëse takimi me Stoltenberg-un dhe kërkesa e tij për “seancë emergjente” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk prodhojnë rezultate, derisa i binte toneve të ashpra se “gjërat kanë dalë jashtë kontrolle…serbët janë mbështetur për muri”.

E kishte gjetur njeriun të cilit do t’ia përçonte këtë të tërën “situatë jashtë kontrolli”: Jens Stoltenberg-un. “Iu afrova Jens-it për një takim, të cilin e konsideroj një individ fer dhe gjithmonë i hapur për të konsideruar perspektivën serbe”, tha Vuçiq ditë më parë në një intervistë për median serbe që operon në Shtete të Bashkuara të Amerikës “The Pavlovic Today” si dhe shtoi se “provova t’i vendos ndërmend mbijetesën pothuajse të pamundshme të serbëve në Kosovë”.

Duke u ankuar për “këtë qasje” të Albin Kurtit, Aleksandar Vuçiq shprehej se për këtë arsye “takimi me Sekretarin Gjeneral të NATO-s është kyç” derisa shton edhe se “Stoltenberg-u është tejet i informuar për komplikimet në terren”.

Dje në Bruksel, që është edhe kryeqytet i NATO-s, përveç i BE-së, Vuçiq takoi Stoltenberg-un. Mediave të tij ua dha “përmbajtjen” e disktuimeve me Sekretarin Gjeneral.

Vuçiq u tha atyre se “NATO mund të arsyetojë me Kurtin, por të shohim se a do të dojë ai (Jens Stoltenberg-un)” teksa shpjegoi se Jens Stoltenberg pati “kundërshtime ndaj Serbisë”.

“I tregova video, ku serbët e akuzuat dhe të burgosur, mund të shihen që s’kanë faj për gjë…I kërkova që NATO ta merr kontrollin dhe t’u sigurojë një jetë të denjë serbëve në veri të Kosovës”, tha dje ai para gazetarëve.

Ankesa e tij ishte edhe për vlerësimin e Albin Kurtit, i cili në një ceremoni diplomimi për kadetët e rinj policorë tha se Policia e Kosovës “është vijimësi” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vuçiq e nxorri kartën e tij të vetme, ndonëse krejtësisht obsolete, Rezolutën 12/44, ku pretendon se “UÇK-ja dhe çkado tjetër që i ngjan asaj në lidhje me UÇK-në nuk mund të ekzistojë në Kosovë”.

“Po luftoj për Serbinë”, tha ai, “prandaj për mua e rëndësishme ishte ta njofton Stoltenberg-un për gjithçka”.

Stoltnberg, në anën tjetër, u deklarua me të zakonshmen “të dyja palët të vetëpërmbahen” dhe të mos i kontribuojnë përshkallëzimit.

Por, lajtmotiv në krejt mesazhin e tij, e kishte dhunën e madhe që shpërtheu ndaj misionit paqeruajtës të NATO-s më 29 maj në Zveçan.

I tërë investimi i Vuçiqit se si “Stoltenberg është i mirëinformuar për ngjarjet në terren” i doli se “mirëinformimi” i tij në terren ishte se gati se qindra ushtarë të KFOR-it janë sulmuar nga protestuesë të dhunshëm serbë.

Shefi i NATO-s dha shifër të frikshme se sa pjesëtarë të NATO-s janë lënduar nga protestuesit e dhunshëm serbë në veri të Kosovës. 93, tha ai.

“Mirë të takohem me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar dhunën e kohëve të fundit në veri të Kosovës, që la 93 trupa të NATO-s të lënduar. NATO ka dërguar trupa shtesë dhe e zbaton mandatin e saj të OKB-së paanshëm. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë eskalimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Jens Stoltnberg.

Sekretari Gjerneral i NATO-s krejt theksin e tij e vendosi në dhunën barbare ndaj KFOR-it, ku madje hiç më larg se kohët e fundit, një ushtarit hungarez të KFOR-it, iu amputua edhe këmba nga plagët e rënda që kishte marrë në Zveçan.

 

Të ngjashme