Lajme
Vuçiq takohet me Sarrazinin, bisedojnë për dialogun Prishtinë-Beograd
Demokracia
14:13 | 30 Shtator 2022

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe situatën aktuale në rajon.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës serbe, Vuçiq ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për të gjitha çështjet në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se Serbia avokon për përmirësime shtesë të ndërlidhjes dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon.

Ai theksoi se Serbia vazhdon me politikën e qasjes së përgjegjshme ndaj të gjitha çështjeve rajonale, pasi sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit.

Vuçiq dhe Sarrazin iu referuan vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përgatitjes së dokumenteve dhe rëndësisë së vetë takimit në kuadër të procesit të Berlinit, transmeton Klankosova.tv.

Siç u tha, Vuçiq përsëriti se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut politik si mënyra kryesore për zgjidhjen e të gjitha sfidave në Ballkan, por se do të vazhdojë të mbrojë integritetin e saj territorial dhe sovranitetin, duke mbrojtur vazhdimisht respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Vuçiq theksoi se Serbia e vlerëson dhe e mbështet procesin e Berlinit, si një format që në mënyrë konkrete i jep shtysë integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme