Lajme
Vuçiq provokon nga Ohri| Nuk e kam problem të flas me Kosovën, të gjithë janë të mirëpritur në ‘Ballkanin e Hapur’
Demokracia
19:55 | 07 Qershor 2022

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot pasdite ka biseduar në telefon me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, nga i cili ka marrë një ftesë shtesë për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor në Bruksel, kanë raportuar mediet serbe.

“Kam zhvilluar një bisedë telefonike me Borellin e cila ka zgjatur 25 minuta, biseduam për integrimin evropian të Serbisë, dialogun me Prishtinën, situatën në rajon, e cila ndonjëherë është e komplikuar, kështu që biseduam për të gjitha temat e rëndësishme me interes për qytetarët e vendit tonë dhe të rajonit”, shpjegoi Vuçiq në një deklaratë për shtyp në Ohër, ku po merr pjesë në samitin dyditor të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti serb tha se është diskutuar edhe për Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor dhe se ka marrë një ftesë shtesë nga Borelli për të marrë pjesë.

Ai ka bërë të ditur se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e deklaratës për personat e pagjetur, si dhe për pakon e energjisë, duhet të vazhdojnë të nesërmen.

Presidenti iu drejtua gazetarëve nga Ohri, ku do të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur” dhe tha se të gjithë janë të mirëpritur në këtë nismë.

“Nuk e kam problem të flas me askënd nga Prishtina. Shikoni shkëmbimin tregtar në CEFTA, sot shkëmbimi tregtar është shumë herë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se ishte i bindur se “Ballkani i Hapur” ishte iniciativa më e mirë në dekadat e fundit.

Ai ka përmendur gjithashtu se nuk dëshiron të merret me atë se kush dëshiron të anëtarësohet apo jo dhe se është një vendim që ua lë të tjerëve.

“Ballkani i hapur është iniciativa më e mirë që kemi pasur për dekada. Ndryshe nga të tjerët, nuk kam ndërmend të justifikoj nëse dikush do të bashkohet apo jo, kush do, do, kush jo, nuk do”, tha Vuçiq.

Të ngjashme