Lajme
Vuçiç: S’mund të kushtëzohet rruga e Serbisë drejtë BE-së me Marrëveshjen Bazë
Demokracia
13:59 | 02 Dhjetor 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur i bindur se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit në tërësinë e saj nuk mund të bëhet pjesë e Kapitullit të 35-të në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian, në të kundërtën, një gjë e tillë, sipas tij, duhet lexuar si mbyllja e derës për anëtarësimin e Serbisë në Union.

U raportua se BE-ja do t’i kërkoj zyrtarisht Komisionit Evropian që detyrimet e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj të bëhen pjesë e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Union, megjithatë sipas Vuçiç-it, nuk duhet besuar se një vendim i tillë mund të merret.

“Unë nuk mendoj se është e mundur që Marrëveshja e Brukselit/Ohrit të jetë pjesë e kapitullit të 35-të të negociatave në tërësi, sepse kjo do të mbyllte derën për Serbinë. Nëse thoni se anëtarësimi i Kosovës në OKB është pjesë e atij kapitulli, atëherë është e qartë që nuk e doni Serbinë në BE”, ka thënë Vuçiç.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura nga marrëveshjet në kuadër të dialogut, raportoi Radio Evropa e Lirë, të premten.

Sipas REL-it, ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, i cili pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.

REL thotë se ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitur për këtë takim, ku thekson se nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjet e dakorduara me Kosovën.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

Të ngjashme