Lajme
Vuçiç: Ambasadorët në Kosovë sillen sikur të jenë politikanë shqiptarë
Demokracia
18:48 | 05 Nëntor 2023

Share:

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” të dielën, derisa ka komentuar rrjedhën e ngjarjeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka pretenduar se disa ambasadorë të huaj në Kosovë kanë sjellje sikur të politikanëve shqiptarë, por pa specifikuar asgjë në këtë drejtim.

Kështu ka thënë presidenti serb për agjencinë serbe të lajmeve derisa ka komentuar deklaratën e ambasadorit të Izraelit në Kroaci, Ilan Mor, i cili ditëve të fundit ka krahasuar serbët me grupin militant palestinez – Lëvizja e Rezistencës Islamike (Hamas) – i cili ka kryer një sulm të befasishëm nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit më 7 tetor të këtij viti.

“Keni edhe ambasadorë në Kosovë që kanë sjellje sikur të politikanëve shqiptarë, por nuk mendoj se do të arrijnë dhe do të shkaktojnë probleme këtu. Kjo është normale”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se llogaritë automatike në rrjetet sociale janë “mjete fantastike” në duart e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik në favor të tij.

Ai ka shtuar se janë gënjeshtra raportimet e mediave serbe se ai është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku përfshihet njohja e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se gjithmonë do t’i përmbahet Kushtetutës së Serbisë. Dhe këtë, ka pohuar ai, ua ka bërë të qartë edhe liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

“Ata kanë thënë se kanë informacione nga Brukseli se do ta njoh Kosovën. Dhe ju të gjithë e dini se ata nuk kanë informacine nga Brukseli. Unë ua kam thënë në fytyrë [presidentit të Francës, Emmanuel] Macron, [kryeministres së Italisë, Giorgia] Meloni dhe [kancelarit të Gjermanisë, Olaf] Scholz, se nuk bëhet fjalë për njohjen e Kosovës”, ka theksuar ai.

Vlen të përmendet se udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të Bashkimit Evropian (BE), mbështutur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të nisë urgjentisht procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Qeveria e Serbisë kanë kërkuar njohjen de facto të shtetësinë e Kosovës.

Të ngjashme