Lajme
Vrasja që tronditi Klinën, detaje nga dosja e prokurorisë se çfarë ndodhi me 7 gusht
Demokracia
19:42 | 16 Gusht 2023

Share:

Prokuroria Themelore në Pejë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Tush Frroku, i cili dyshohet për vrasjen e A.P., më 7 gusht 2023, në një lokal në Klinë.

Tashmë Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Tush Frrokut, këtë e konfirmoi avokati Gani Kelmendi, në “Frontal”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën e ka parashtruar prokurori Ersan Qavolli, ku thuhet se rasti dyshohet se ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje të mëparshme mes të dyshuarit dhe tani të ndjerit.

Frroku dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” ,”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shtrëngimi” dhe “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, thuhet se më 7 gusht 2023, rreth orës 16:49, në Klinë, sheshi “Nëna Terezë”, pas një mosmarrëveshje të mëhershme mes të pandehurit me tani të ndjerin A.P., derisa ky i fundit ishte në lokalin “Coyota”, me tezakun e tij në një tavolinë, pasi e përcjell i pandehuri Tush Froku, i njëjti merr pistoletë me vete, futet brenda në lokal dhe me pistoletë shtie menjëherë në drejtim të tani të ndjerit A.P., disa herë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri kthehet tek dera e hyrjes, ndalon dhe prapë gjuan në drejtim të tani të ndjerit, ashtu që me këtë përpos që privon nga jeta A.P., rrezikon jetën e tezakut të tij që ishte në tavolinë me të dhe personave tjerë që ishin aty dhe më pas arratiset nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar.1.5 të KPRK-së.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga koha e pacaktuar e deri më 7 gusht 2023, rreth orës 16:49, në Klinë, sheshi “Nëna Terezë”, i dyshuari Frroku mban në pronësi armë në shkelje me ligjin për armët, të cilën pasi e siguron, e posedon pa leje deri më 7 gusht 2023, sikurse në dispozitivin e parë.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, në datën e njëjtë, rreth orës 17:00 në Klinë, me kanosje serioze për vrasje dhe duke përdurur armën, i dyshuari Frroku detyron personin tjetër- të dëmtuarin A.T., të kryejë një veprim.

Sipas Prokurorisë, pasi që i pandehuri Frroku kryen veprën penale sipas dispozitivit të parë, del në sheshin e lartcekur, e ndalon veturën “Golf VI” të të dëmtuarit dhe nën kërcënimin e armës e detyroi që ta voziste veturën në drejtim të fshtatit Zllakuqan, e më pas e largon nga vetura dhe arratiset me të.

Me çka, dyshohet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Në kërkesën e Prokurorisë më tej thuhet se me datën së lartcekur, i pandehuri Frokaj, gjithashtu në mënyrë të kundërligjshme merr pasurinë e luajtshme të personit tjetër që ta mbajë në posedim të tij, pa qëllim të përvetësimit dhe në dëm të të dëmtuarit A.T, ku i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vrasje e rëndë, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën e lartcekur, ku pasi që e detyroi që ta voziste veturën më pas e largon nga vetura, ia merr veturën dhe arratiset me të, e më pas veturën e lë tek shtëpia e tij.

Me këtë veprim, dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”, nga neni 319, par.1 i KPRK-së.

Andaj, bazuar në këto, Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Frroku.

Po ashtu, Prokuroria thekson edhe faktin që i pandehuri është i njohur për organet e drejtësisë.

“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Tush Frokaj është i njohur për organet e drejtësisë, ngase i njejti në bazë të aktgjykimit P.nr. 218/16 është dënuar për vepër penale ndryshimi i njehsorit nga neni 323 par. 1 i KPRK-së, gersa po ashtu ndaj tij është ngritur aktakuza PP/I nr. 64/12 për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 i KPRK-së, mirëpo për shkak të amnistisë e njëjta është hedhur në bazë të aktvendimit PKR.P. nr 33/13”, thuhet në kërkesë.

Andaj, Prokuroria referuar të lartcekurave, thotë se të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun se me lënien e tij në liri, do të vazhdojë kryerjen e ketyre veprave penale dhe të pengojë edhe rrjedhën normale të procedurës penale.

Ndryshe, Frroku është dorëzuar të martën në Polici dhe është dëguar në ndalim prej 48 orësh.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar dje, se i dyshuari Frroku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë, për veprën penale “Ndryshim i njehësorit të shërbimeve” dhe tri vepra penale “Vjedhje e rëndë”.

Edhe Prokuroria Themelore në Pejë, kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra penale dhe se ndaj tij kishte procedurë për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Prokuroria bëri të ditur se në vitin 2012 kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.

Që nga 7 gushti 2023, Policia e Kosovës, e kishte shpallur në kërkim të dyshuarin Frroku, për vrasjen e ndodhur nё rrugën “Leonard Palucaj”- Klinё, më 7 gusht 2023. Policia kishte njoftuar se i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur më pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit.

Policia ishte vënë në ndjekje të tij dhe në fshatin Kosh të Istogut është gjetur vetura e braktisur.

Ndryshe, viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qëndrën e Mjekësisë Famljare në Klinë.

“Me vendim tё prokurorit tё shtetit trupi i pajetë i viktimёs dërgohet ne institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion”, thuhej në njoftimin e Policisë. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme