Lajme
Vrasja e Triumf Rizës| Prokuroria kërkon paraburgim për Ilir Abdullahun, bashkëpunëtorin e Enver Sekiraqës
Demokracia
15:54 | 17 Korrik 2023

Share:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Ilir Abdullahit, i cili u arrestua dej nga Polica e Kosovës si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e policit, Triumf Riza.

Demokracia.com ka raportuar dje ekskluzivisht për arrestimin e Abdullahut, i cili ndodhej në arrati.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S. Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”, thuhet në njoftim.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim.

Incidenti fillimisht ndodhi në “Swiss Casino”, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani./Demokracia.com/

Vrasja e Triumf Rizës| Arrestohet bashkëpunëtori i Enver Sekiraqës, Ilir Abdullahu, kërkohej që 16 vjet

 

Të ngjashme