Lajme
Vrasja e shtatzënës| IPK rekomandon suspendimin e Komandantit të Policisë në Lipjan dhe tre zyrtarëve tjerë
Demokracia
14:24 | 03 Dhjetor 2022
Ilustrim

Share:

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe  Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur Hamide Magashi.

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “. Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë  të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues)”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë.

Sipas IPK veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit./Demokracia.com

Të ngjashme