Lajme
Vrasja e para një viti në Ferizaj, Buta thotë se djegia e veturës së tij nuk ishte motivi i vrasjes
Demokracia
09:29 | 13 Shtator 2023

Share:

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të martën ka vazhduar seanca ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi, i cili akuzohet se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022, me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij, Betim Januzit i njohur me nofkën Buta. Por, ky i fundit gjatë dëshmisë para gjykatës tha se djegia e veturës së tij nuk ishte motivi i vrasjes.

Buta tha se vetura ishte e tij dhe jo e vëllait të tij, e që e njëjta ishte djegur 3-4 muaj para se të ndodhte ky rast dhe se e kishte të siguruar “full kasko”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Rreth rastit të djegies së veturës, mediat kanë aluduar shumë për këtë pjesë, kjo më shumë është çështje mediatike, se unë e kam pas veturën e siguruar full kasko dhe vetura u kallë 3-4 muaj para rastit. Ka kaluar kohë e gjatë nga koha e djegies së veturës, vëllau Qëndrimi ka thënë se tani i ndjeri ka qenë një prej të mundshmëve që e ka djegë veturën, por kjo kurrë nuk është gjetur nga policia, kështu që nuk ka shanca me kanë motivi, vetura ka qenë e imja, vëllau im nuk ka qenë i dëmtuar, nuk ka qenë hiç motiv djegia e veturës”, tha Buta.

Dëshmitari tha se në ditën kritike kishte pasur koncert në Prizren, ku kishte qenë së bashku me vëllain e tij Qëndrimin, pasi që të njëjtin e kishte pasur menaxher, ndërsa pas mesnatës ishin kthyer në Ferizaj.

“Për në Prizren jemi nisur diku ka ora 09:00, ndërsa më kujtohet që jemi kthyer rreth orës 00:00-00:30 pas mesnatës, dhe me t’u kthyer unë së bashku me Qëndrimin dhe me një person të quajtur Rinor, dhe si zakonisht ku e vendosim veturën atë natë ka qenë duke vozitur Rinori dhe ka marrë veprimin për ta vendosur veturën në garazh tek kompleksi banesor SNA, e që unë në një distancë prej 10-15 metra nga dera e garazhës e kam vërejtur se ka qenë i ndjeri me dy persona të tjerë”, tha Buta.

Ai sqaroi se më vonë e kishte kuptuar se kanë qenë katër persona dhe jo tre.

Tutje, i njëjti tha se ishte kthyer në banesë, ndërsa Qëndrimi e kishte telefonuar një shok të tij i quajtur Besnik Berisha, për të cilin dëshmitari tha se nuk e dinte se çfarë pune ka pasur Qëndrimi me të.

Po ashtu, tha se gjatë qëndrimit të tyre në Prizren, Qëndrimi nuk i kishte thënë asgjë në lidhje me raportet e tij me tani të ndjerin.

“Pas 10-15 minutave kam dalë nga banesa për të blerë cigare dhe sapo dola jashtë kam dëgjuar të shtëna të armëve dhe sirena të policisë, atë moment më ka thirrë në telefon Yll Islami, të cilin e kam shok. I njëjti më ka thënë nisu për Spital se i ka ndodhur diçka Qëndrimit, e kam marrë veturën dhe jam nisur në drejtim të Spitalit”, ka thënë tutje dëshmitari Buta.

Dëshmitari Januzi ka rrëfyer tutje, se pasi që ka arritur tek Spitali, aty e kishte vërejtur vëllanë e tij Qëndrimin duke e futur në ambulancë për ta dërguar në Prishtinë.

“Aty prezent kanë qenë një numër i madh i shokëve të tani të ndjerit G., dhe mua më kanë sugjeruar shokët e mi që mos të qëndroj aty sepse është rrezik, po ashtu më kanë thënë mos shko as në shtëpi se kanë vërejtur disa makina jashtë banesës sime”, tha tutje dëshmitari.

Ai tha se tani të ndjerin e kishte shok dhe se e kishte marrë nëpër koncerte, ndërsa beson që pikënisja ku filloi “inati” i tani të ndjerit ishte mosdhënia e disa parave që viktima ia kishte kërkuar.

“Të ndjerin G. e kam njohur, e kam pas shok, e kam marrë në koncertet e mia dhe e kam paguar, dy vitet e fundit i njëjti është ndje si i lënë pas dore nga ana ime. Fillimisht, ka qenë një rast ku i njëjti më ka kërkuar para për një rast të tij që e kishte në gjykatë, unë i pata kërku vendimin e gjykatës të cilin ai nuk ma ka dhënë dhe për këtë arsye nuk ia kam pas dhënë paratë. Sipas meje kjo ka qenë pikënisja ku i ndjeri G. më ka marrë inat, dhe kemi ftohur raportet tona”, tha më tej dëshmitari.

Sipas dëshmitarit Buta, kërcënimet nuk i kishin raportuar në Polici, pasi kishin frikë nga tani i ndjeri.

“Lidhur me kërcënimet që vinin nga ai ne nuk i kemi raportuar në Polici, pasi që kemi pasur frikë nga ai pasi që i njëjti na ka kërcënuar edhe me vdekje shumë herë”, ka rrëfyer dëshmitari Buta.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Bekim Sylejmani e ka pyetur dëshmitarin se a e kishte të njëjtën frikë edhe kur e ka paraqitur në Polici rastin e djegies së veturës.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk e kishte paraqitur rastin e djegies së automjetit në Polici, pasi që kishte qenë në një koncert në Angli.

I pyetur nëse ndonjëherë dëshmitari Ramadan Sahiti i ka dërguar foto të G., pas ngjarjes kritike, dvshmitari pohoi se ia kishte dërguar një foto të viktimës, i cili kishte qenë në tokë i zhveshur e i pambuluar, të cilën gjë e kishte marrë si kërcënim.

Paraprakisht, në këtë seancë janë ndëgjuar dëshmitarët Vehbi Hyseni dhe Artan Spahija.

Dëshmitari Hyseni tha se i akuzuari ia ka vrarë të vetmin djalë,

“Ma ka vra të vetmin djalë, ma ka humb krejt familjen. Ka qenë djali i vetëm, i kam 5 vajza”, tha ai.

Ndërsa, dëshmitari Artan Spahija ka rrëfyer se në ditën kritike ka qenë me tani të ndjerin dhe me disa shokë për të luajtur një lojë të quajtur “Gemer”, i njëjti tha se viktimën e kishte njohur për një kohë të shkurtër dhe nuk ka pasur raporte të afërta që të diskutonin rreth problemeve të tyre.

“Prej momentit që kemi dalur nga lojërat, unë së bashku me shokët kemi ecur së bashku në këmbë, duke lëvizur kah rruga e nënkalimit për të dalë dhe vazhduar tek rruga “Vëllezërit Gërvalla”, më kujtohet se tani i ndjeri ka lëvizur me një motor, e që nënkupton se ne së bashku kemi arritur tek një market emri i të cilit nuk më kujtohet dhe aty G., e ka lënë motorin, ndërsa kemi vazhduar të gjithë në këmbë në drejtim të rrugës së Gjilanit për tek marketi “Euro Market”, ka rrëfyer dëshmitari Spahija .

I njëjti, tregoi se pasi që kishin arritur tek marketi, kishin hyrë brenda ndërsa tani i ndjeri kishte qëndruar jashtë. Ai tha që nga brenda në market ka dëgjuar krisma nga armë zjarri dhe kishte tentuar të mbrohej.

“Në një moment kam dëgjuar krisma nga armë zjarri, dhe në atë moment isha duke qëndruar dhe kisha një pije në dorë, unë jam munduar që të fshihem sepse kam dëgjuar krisma, kur kam dalur nga marketi e kam vërejtur tani të ndjerin ishte në pozitë gjysmë i shtrirë duke mbajtur barkun me dorë, unë kam tentuar që t’i afrohem, mirëpo ka qenë një person i cili është prezantuar si polic dhe nuk na ka lejuar që ta prekim dhe t’i afrohemi. Ne aty kemi qëndruar edhe pak derisa ka ardhur ambulanca, dhe pastaj e kanë dërguar për Emergjencë, pastaj unë me shokë kemi shku tek Emergjenca për ta kuptuar gjendjen e G.,”, ka rrëfyer dëshmitari Spahija.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet sot.

Të ngjashme