Lajme
Vrasja e 20-vjeçarit në Tiranë, shpallet në kërkim djali i Admir Murataj
Demokracia
11:08 | 25 Prill 2023

Share:

Të martën e 25 prillit është shpallur në kërkim nga policia shtetasi Arbër Murataj për t’u pyetur në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Stiven Toshkeni.

Sipas policisë Arbër Murataj është personi që ka pasur konfliktin me viktimën.

Gjithashtu behët me dije se është kryer kontrolli fizik në banesën e 18-vjeçarit, por nuk është gjetur atje.

Gjatë kontrollit në banesë është gjetur edhe një sasi kanabisi dhe është arrestuar kushëriri i Arbër Murataj, i cili ndodhej në banesë.

Ndër të tjera, Arbri është djali i Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në grabitjen e Rinasit në prill të vitit 2019 ku qëlloi me armë drejt policisë.

Tre ditë më parë Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit me burg për Axel Hoxhajn, autorin e dyshuar të vrasjes së Toshkesit.

Hoxhaj u dorëzua mbrëmjen e 20 prillit në Polici, pas negociatave të vazhdueshme me familjarët dhe presioneve të shtuara me kontrolle të imta nga uniformat blu.

Sipas njoftimit zyrtar, ky shtetas, në datë 18 prill, kur edhe ngjarja ka ndodhur në rrugën “Skënder Sallaku”, në bashkëpunim me një tjetër shtetas 18-vjeçar, Ensi Maze, kanë goditur me mjet prerës 20-vjeçarin, i cili më pas ka humbur jetën, shkruan Albanianpost.

Edhe ky i fundit, është lënë në burg nga Gjyakata, pasi është vetëdorëzuar në Polici.

Maze u arrestua menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, ku ka dëshmuar edhe lidhur me rrethanat e rastit.

Ai ka deklaruar se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën, por ishte vënë në dijeni të konfliktit nga shoku i tij, Hoxhaj.

Sipas tij, ai është kthyer nga Holanda, ku studion dhe Hoxhaj i ka treguar se para disa kohësh ka pasur një konflikt me viktimën.

Motivi: Një vajzë të cilën e pëlqente Hoxhaj dhe që e kishte në të njëjtën klasë, por ajo ishte në një marrëdhënie me viktimën.

Më pas, përpara oficerëve gjyqësore ai ka shtuar se situata është rënduar për shkak se viktima ka pretenduar se Hoxhaj e shqetësonte vazhdimisht të dashurën e tij.

Ajo që dihet është se Maze thekson se shkuan vetëm për t’u sqaruar, por gjërat dolën jashtë kontrollit dhe 20-vjeçari humbi jetën.

Të ngjashme