Lajme
Von Cramon apo Kurti e tha të vërtetën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Demokracia
13:49 | 01 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka demantuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila ka thënë se Qeveria Kurti ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti sot në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se nuk është në dijeni të ndonjë plani për këtë Asociacion, duke demantuar kështu raportuesen Von Cramon, përcjell Demokracia.com.

“Së pari Kosova e ka Asociacionin e Komunave dhe besoni që mua si kryeministër mjaft po me del asociacioni ekzistues. Në anën tjetër, unë nuk jam në dijeni si Kryeministër i Republikës së Kosovës për ndonjë farë plani për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk besoj që mund t’i shtoj diçka të re. Kushtetutshmëria në Kosovë nuk toleron asociacione mbi baza etnike. Mund të ketë asociacione mbi baza zhvillimore, por jo etnike. Mos të harrojmë se po t’i pyesim të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim religjioni, nacionaliteti, askush nuk e ka prioritet një asociacion të tillë. Madje, as serbët, të gjithë duan shkollim, shëndetësi dhe luftim të korrupsionit”, ka thënë Kurti.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë dje se Qeveria e Kosovës ka një propozim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo e ka cilësuar si të mirë lëvizjen për këtë çështje. Megjithatë, ka refuzuar të japë detaje për çfarë propozimi bëhet fjalë.

Sipas saj, para se të arrihet marrëveshja finale duhet që shtetet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme, përfshirë atë të asociacionit.

“Mendoj se ajo çfarë kam dëgjuar është se kjo është duke ndryshuar së fundmi. Dhe ky është një lajm i mirë, sepse kjo është ajo çfarë nga duhet. Na duhet një koncept i formësuar i palës kosovare rreth asociacionit”, ka thënë ajo kur është pyetur për reagimin e kryeministrit Kurti kur ishte diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ndryshimin e qëndrimit të Kosovës për këtë çështje, ajo e ka parë si pjesë të kompromiseve.

Albin Kurti tregon nëse do të takohet me Vuçiqin

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josef Borrell, e ka paralajmëruar një takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentit serb Aleksandar Vuçiq, para fillimit të verës.

Kryeministri Kurti ka thënë se nuk e ka pranuar një ftesë të tillë, përcjell Demokracia.com.

Ai u shpreh se kur ta ketë një ftesë të tillë do ta trajtojë me përkushtimin më të madh.

“Unë nuk kam marrë një ftesë nga Josef Borrell. Kur ta kem një ftesë të tillë do ta trajtojë me përkushtimin më të madh dhe qasje pozitive. Por, nuk ka ndonjë ftesë të tillë. Mund ta ketë menduar z.Borrell, por në postën e Kryeministrisë nuk ka ardhur ndonjë ftesë e tillë”, tha Kurti.

Borrell ditë më parë ka folur për dialogun Kosovë-Serbi në takimin me ministra të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Ai ka thënë se në dialog duhet të krijohet “besim” mes palëve, duke shtuar se kur delegacionet respektive të shteteve ulën të negociojnë, nuk ka fare përparim.

“Sigurisht që kemi biseduar për dialogun Prishtinë-Beograd dhe ministrat shprehën respektimin e plotë për zbatimin e marrëveshjeve paraprake, gjë që nuk po ndodh dhe për vazhdimin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv, përparim të shpejt të normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy palët pajtohen për këto, por kur ulen së bashku është e vështirë të bëhet përparim”, tha ai.

Borrell shtoi se duhet të përmirësohet atmosfera në dialog dhe tha se shpreson që të ketë një takim të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, para stinës së verës.

“Ne duhet të krijojmë besim. Është thelbësore që të përmirësohet atmosfera në dialog. Angazhimi në veprime pozitive për të krijuar besim dhe për të shmangur hapat e njëanshëm dhe shpresoj që para verës ne do të jemi në gjendje të mbajmë një takim të ri në nivelin e lartë politik me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, por puna për këtë është ende duke vazhduar”, theksoi shefi i diplomacisë së BE-së. /Demokracia.com/

/Demokracia.com/

Të ngjashme