Lajme
Kosova e kontakton Shqipërinë për ta ndihmuar për anëtarësim në KiE, Andoni: Taktikë për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes
Demokracia
17:35 | 14 Maj 2024

Share:

Kosova e ka kontaktuar Shqipërinë për t’i kërkuar ndihmë që të enjten dhe të premten Komiteti i Ministrave ta miratojë përfundimisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar kushtin e lidhur me Asociacionin që tha se ia vunë kryeqendrat europiane. Publicisti Ben Andoni thotë se kjo është taktikë e Prishtinës “për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes” me Tiranën, pasi që shteti shqiptar s’e ka forcën që “të peshojë në vullnetet e vendeve kryesore të kontinentit, që ia kanë shprehur Prishtinës zyrtare qëndrimin direkt e në zyrën e z. Kurti”.

Megjithëse tha se nuk e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke refuzuar kështu kushtin që tha se ia vendosën kryeqendrat europiane për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës këtë muaj, kryeministri Albin Kurti thotë se shpreson ende se Komiteti i Ministrave që mblidhet më 16 dhe 17 maj do të vendosë përfundimisht që ta pranojë vendin në KiE.

Për këtë u tha se Kosova po i vazhdon përpjekjet dhe Qeveria e Albin Kurtit ka kërkuar edhe ndihmën e Shqipërisë.

“Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe ky është vlerësimi e vendimi i instancave të Këshillit të Evropës, dhe tani që pret vulën, le të themi, nga ky komitet i ministrave që përbëhet nga përfaqësues të qeverive, dhe në këtë mes ndoshta do të duhej që të kishte përpjekje shumë më shumë. Kosova po bën përpjekjen e saj, por duhet që edhe Shqipëria të bëjë përpjekjen e saj që të arrihet ky pajtim dhe të tejkalohet ky keqkuptim, le të themi, në kërkesa…”, tha të hënën Jeton Zulfaj, këshilltar i Kurtit.

Ai pohoi kur u pyet në Euronews Albania se a kanë kontaktuar me autoritetet shqiptare për këtë çështje.

“Po. Ne presim nga Shqipëria që ajo të luajë rol aktiv në këtë çështje sepse kështu edhe duhet të jetë. Në çështjet që kanë të bëjnë me afirmimin e shtetësisë së Kosovës, nga Shqipëria nuk presim që t’i kërkojmë që të punojë, të avancojë interesat dhe të forcojë sovranitetin e Republikës së Kosovës, por këtë ta bëjë në mënyrë aktive dhe proaktive, do të kisha thënë”, tha Zulfaj.

Publicisti dhe gazetari shqiptar, Ben Andoni i tha Gazetës Express se kjo është lëvizje taktike e Qeverisë së Kosovës “për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes”.

“E para, taktike, për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes dhe e dyta për të gjetur mundësinë, që të rikthejmë komunikimin e munguar. Kadare shkroi diçka të mrekullueshme në kohën e Luftës së Kosovës, ‘Ra ky mort dhe u pamë’, por në këtë rast mund të përshtatej se gjithmonë kur kemi halle kujtohemi se jemi të vetëm me njëri-tjetrin. Kosova nuk bën dot pa Shqipërinë, sado politikanët e Prishtinës ta qesëndisin, ashtu si Shqipëria e do ta ketë gjithnjë Kosovën në krah, për shpirtin, gjakun dhe adhurimin e madh që kanë për të. Po shikoj një moment kthjellimi të politikës kosovare dhe pres shpejt të ketë vizita zyrtare të nivelit të lartë, për t’u rakorduar më mirë”.

Andoni kujtoi se “Shqipëria ka ngritur me kohë një grup ‘ad hoc’ në Ministrinë e Jashtme, kohë më parë, për këtë udhë në KiE”. Por thotë se megjithë pozicionin e mirë ndërkombëtar, Shqipëria s’ka fuqi të ndikojë që vendet kryesore të kontinentit të ndryshojnë qëndrim tash.

“Habitem sesi dy ministritë nuk kanë rakorduar më shumë për një qëllim kaq të madh për Kosovën. Ndërkohë, që tashti është tejet vonë dhe po mendoj se vetëm një predispozitë e Ministrave të KiE dhe shprehje e vullnetit të mirë të Kosovës për Asosacionin mund të ndihte procesin. Shqipëria, megjithë pozicionin e saj të mirë ndërkombëtar, nuk e ka forcën të peshojë në vullnetet e vendeve kryesore të kontinentit, që ia kanë shprehur Prishtinës zyrtare qëndrimin direkt e në zyrën e z. Kurti. Megjithatë, e quaj shprehje të vullnetit të mirë dhe uroj që në të ardhmen të ketë shumë më tepër rakordim mes Tiranës-Prishtinës. Jemi të dy vendet shumë të vogla, që të bëjmë pa njëri-tjetrin”, tha ai.

Kjo rrugë do ta gjente Kurtin, thotë Andoni, që përsërit një mendim të tij se Kosova duhet ta kishte gati një draft-statut të saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kësisoj, tash ai e sheh të pashmangshme lënien e Kosovës jashtë agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave.

“Po mendoj se në atë hulli, ku ka shkuar dialogu dhe nga zhvillimet e brendshme të Kosovës, z. Kurti nuk kishte më rrugë tjetër. Ju e dini, që Kosova e ka obligim prej paraardhësve të z. Kurti, që të paktën të ketë një dokument Asociacioni (është firmosur), që të jetë i zbatueshëm. Ai, që është përgatitur nga përfaqësuesit serbë nuk shkon me Kushtetutën, por në këtë kohë, Kosova duhet ta kishte një draft, të paktën gati. Për fat të keq, humbja në shtigjet pa dalje të dialogut dhe sidomos një Serbi, që do të ndryshojë rregullat e lojës vazhdimisht, e ka bërë të vështirë dialogun. Shtuar këtu dhe konfuzitetin e lehtësuesve të dialogut, Lajcak, Escobar, Borell e me radhë. Ose më saktë, realisht do duhet një dialog i ri për vetë dialogun. Është momenti, që faktori kosovar duhet të unifikohet dhe të vendosë për një draft, pasi cilido që do të jetë në pushtet, do e ketë detyrim realizimin e Asociacionit. Me pak fjalë, partitë duhet të kenë parasysh që këtë barrë ta mbajnë të gjitha, por të mos e dëmtojë Kushtetutën e Kosovës. Vështirë të besohet se ka mundësi me orët e mbetura të ketë vendim pozitiv për Kosovën, pra të përfshihet në axhendë”, tha Andoni.

Më 16 maj, 80% e deputetëve në Asamblenë Parlamentare votuan që Kosova të avancojë më tej në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Kurti u paralajmërua menjëherë se “tani vjen puna e vështirë”, por tha “s’bëj hapa të cilët rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj”.

Kosova hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës e bëri më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës. Por fjala e fundit i takon Komitetit të Ministrave.

Të ngjashme