Lajme
Vjosa Osmani një vit nën hijen e skandaleve të bashkëshortit
Demokracia
11:09 | 04 Prill 2022

Share:

Sot bëhen një vit prej ditës kur Vjosa Osmani i mori votat e nevojshme për presidente të vendit.

Vjosa Osmani u bë gruaja e dytë Presidente e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

4 prilli ishte një ditë e gjatë për Vjosa Osmanin deri sa arriti që të bëhej e para e shtetit.

Pas një drame disaditore, u nevojit “peshkimi” në partitë e tjera që asaj t’i siguroheshin votat e mjaftueshme dhe të vihej në krye të shtetit.

Ishte vota e deputetes së deriatëhershme të PDK-së, Adelina Grainca, e cila e braktisi partinë e saj dhe iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, ajo që i dha vulën zgjedhjes së Osmanit në krye të shtetit. As sot e asaj dite nuk u sqarua sesi Grainca u bind që ta votonte Osmanin.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Ndërsa, Osmanin atë ditë e mbështeti edhe një pjesë e ish-partisë së saj, Lidhjes Demokratike e Kosovës.

E për t’u bërë presidente e ndihmuan edhe dy deputetë të pakicave jo serbe, të cilët ia siguruan kuorumin me mbi 80 deputetë në sallë.

Por, për çfarë mbahet mend Osmani gjatë këtyre muajve të udhëheqjes së saj?

Njeriu që do të duhej të ishte zëri i unitetit në Kosovë nuk arriti që gjatë këtij viti t’i përfaqësojë të gjithë.

Ndërsa, të vetmin ndryshim që e bëri është ai i dukjes së saj.

Vjosa Osmani si e para e vendit në vazhdimësi u iku shumë temave të brendshme me rëndësi të veçantë dhe tregoi mungesë lidershipi, shkruan Demokracia.com.

Ajo nuk u bë zë as i të pazëshmëve, grupeve të margjinalizuara, që kanë nevojë për përkrahjen e saj.

Osmani mezi arriti të thotë pak fjalë për shtrenjtimin e rrymës dhe nuk foli as për Projektkodin Civil, ku temë u bë lejimi apo moslejimi i martesave mes gjinisë së njëjtë.

Madje, Osmani nuk foli as për rritjen e çmendur të çmimeve.

Ajo këto ditë nuk foli as për zgjedhjet serbe, të cilat Qeveria nuk lejoi që të mbahen në Kosovë dhe nxiti reagimin e ashpër të shteteve të Quint-it.

Si e para e shtetit, e cila udhëheq me politikën e jashtme, Osmani nuk arriti të siguronte asnjë njohje të re, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe asnjë sukses në rrafshin ndërkombëtar.

Ajo gjatë këtij viti e ka siguruar një vizitë në SHBA, partnerin më të madh të Kosovës, por nuk është pritur as nga presidenti amerikan Joe Biden dhe as nga sekretari Anthony Blinken, shkruan Demokracia.com.

Osmani gjatë këtij viti u prit shpesh vetëm në Turqi, shkruan Demokracia.com.

Ajo së fundmi mori pjesë në samitin e Dohas në Katar, por kur u prit nga Kryeministri i Katarit mungoi flamuri i Kosovës.

Gjatë gjithë këtij viti, Vjosa Osmani e kishte si “mbrojtës” të madh bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun.

Ai duke e mbrojtur punën e gruas së tij, nuk la gjë të zezë pa thënë për mediat e Kosovës, që ndonjëherë e kritikonin për mospunën si presidente.

Sadriu i quajti mediat si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Madje, presidentja pas kësaj e mbrojti dhe e arsyetoi burrin e saj, i cili është edhe diplomat i Kosovës. Por, diplomati më i privilegjuar nuk mori asnjë ndëshkim.

Presidentja Osmani gjatë gjithë vitit u përcoll nga skandalet e vazhdueshme të të shoqit.

Demokracia.com muaj më parë kishte zbuluar se Sadriu në të kaluarën i kishte bërë shtetit kërkesë edhe për rimburësimin e shpenzimeve të trajtimit të virusit Covid-19 në vlerë prej 396 euro e 80 centë.

Prindon Sadriu e kishte bërë këtë kërkesë më 22 dhjetor 2020 kur Vjosa Osmani ishte U.D. Presidente. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.

Ekskluzive: Zotëriu i Parë ia kërkoi shtetit 396 euro si shpenzime të tij pas infektimit me Covid-19 (Dokument)

E kërkesat e tij ndaj shtetit nuk patën të ndalur. Vetëm pak muaj më vonë, Sadriu i kërkoi shtetit që t’ia lejojë xhamat e zi në veturën e babait të tij.

Ekskluzive: Zotëriu i Parë ia kërkoi shtetit 396 euro si shpenzime të tij pas infektimit me Covid-19 (Dokument)

Zotëriu i Parë, po ashtu e “dogji” buxhetin edhe me karburant për vajtje-ardhje nga Prishtina në Shkup, gjë që i ishte mundësuar kundërligjshëm.

Prindon Sadriu “djeg” buxhetin edhe me karburant për vajtje-ardhje nga Prishtina në Shkup (Dokument)

Presidentja Osmani, e cila prej që është në skenën politike flet kundër korrupsionit e favoreve të pushtetit, i dha tender në vlerë prej rreth 8 mijë eurosh kompanisë së shokut të babait të saj, shkruan Demokracia.com.

Tenderin për t’i rinovuar zyrat e kabinetit të Osmanit e kishte fituar kompania “Arhing”, pronari i të cilës është mik i babait të presidentes dhe vjen nga Mitrovica.

“Unë kam qenë shef i Inspekcionit të Ndërtimtarisë e nga aty njihemi, pra jemi shokë, kjo është lidhja me të. Përndryshe, unë kam qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës për nëntë vjet”, kishte thënë Canhasi për Demokracia.com.

EKSKLUZIVE: Presidenca i jep tender mikut të babait të Vjosa Osmanit (Dokumente)

E derisa presidentja Osmani heziton të flasë për “temat e nxehta” në vend, ajo nuk kurset aspak për luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

Madje, sipas bashkëshortit të saj, Vjosa Osmani është liderja e parë që kriminel e ka quajtur presidentin rus Vladimir Putin. Bashkëshorti i saj kishte thënë se Osmani, para presidentit amerikan Biden, e ka quajtur kriminel lufte, Putinin.

Osmani në paraqitjet e saj publike thotë se ka marrëdhënie shumë të mira me miqtë e huaj të Kosovës dhe për çdo gjë koordinohet me partnerët ndërkombëtarë. Por, mungesën e sukseseve në fushën ndërkombëtare, ajo u mundua ta kamuflojë shpesh me kinse e ruan buxhetin e shtetit më shumë se paraardhësit e saj. Emri i presidentes doli edhe tek lista e deputetëve që kishin marrë kompensime për shpenzimet e udhëtimit, ndonëse ajo asokohe kishte jetuar në Prishtinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme