Lajme
Vizita e dështuar në SHBA e kryeministrit Albin Kurti
Demokracia
20:26 | 21 Maj 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti ishte nisur më 6 maj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar me pompozitet, përfundoi me disa takime me senatorë e kongresistë, por jo me zyrtarë të lartë amerikanë nga Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Shtetit.

Kurti në këtë vizitë 15 ditore në SHBA u takua me shqiptarët atje, mori pjesë në dasma dhe ahengje, takoi disa kompani amerikane, por ajo që ishte më e rëndësishmja, kryeministri po kthehet në Kosovë duarthatë sa i përket takimeve të nivelit të lartë.

Kjo vizitë, sipas vetë Kurtit, ishte vizita më e gjatë që ndonjë kryeministër i Kosovës e ka bërë ndonjëherë në SHBA. Kohëzgjatja e vizitës u bë edhe pjesë e humorit të përditshëm kosovar, pasi që nuk mbahet mend që një burrështetar i ndonjë vendi të qëndroj kaq gjatë për vizitë në një shtet tjetër, shkruan Demokracia.com.

Në Amerikë, kryeministri i Kosovës ka qëndruar në disa shtete të ndryshme.

Kjo vizitë është cilësuar si dështim i madh nga opozita dhe opinionistë e gazetarë të shumtë kosovarë.

Derisa vendi po përballej me probleme të shumta, nisur nga ligji për pagën minimale, pastaj dialogu me Serbinë, takimet e shumta jashtë vendit ku temë ishte Kosovës, Kurti zgjodhi të mos e prishte rehatinë e tij dhe të vizitonte universitete e të mbante ligjërata nëpër takime krejtësisht të rëndësisë së dytë.

E një e arritur e Kurtit e publikuar në faqen e Qeverisë së Kosovës, është intervista në CBS News Chicago dhe Zërin e Amerikës, por jo më shumë sa i përket intervistave në SHBA.

Ndërkaq sot, kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të qëndrimit treditor në Washington DC dhe takimeve që ka pasur me zyrtarë amerikanë. Ai në një postim në Facebook tha se qëllimi kryesor i takimeve ishte avokimi për siguri dhe rritja e investimeve amerikane në Kosovë.

“Qëllimi ynë kryesor gjatë gjithë këtyre takimeve ishte për të avokuar sa më fuqishëm për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe ShBA-së. Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian, rritja e investimeve amerikane dhe vëmendja më e shtuar për sigurinë e Kosovës, ishin disa prej temave kyçe që diskutuam në Washington, D.C”, ka shkruar ai.

Kë takoi deri sot Kurti në SHBA?

Gjatë gjithë kësaj kohe, Kurti ka takuar një disa biznese amerikane, pak politikanë të rangut jo të lartë, e shumë shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Megjithatë, Kurti nuk ngurroi të lëvdohet në lidhje me vizitën e tij në ‘tokën e premtuar’.

Gjatë një ligjërate në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul të Çikagos, i pari i ekzekutivit kosovar tha se vizita e tij në SHBA është më e gjata se e cilitdo kryeministër tjetër të Kosovës.

“Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC), vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan. Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, tha tutje Kurti.

U përfol shumë se kryeministri Albin Kurti do të takohej me Zëvendëspresidenten Kamala Harris në vizitën e tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Por, kjo e fundit nuk e priti takimin, e u nis ‘në anën tjetër’ të botës.

Kamala Harris udhëhoqi një delegacion zyrtarësh të lartë amerikanë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për të nderuar liderin e kësaj federate që vdiq së fundi, dhe për t’u takuar me presidentin e ri.

Kurti nuk e takoi as Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken dhe as miqtë e Kosovës si Ëilliam Burns dhe John Kerry. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 26 Prill 2024