Lajme
“Veç është paralajmëruar, VLEN do të jetë në Qeveri” | Edhe nëse humbin zgjedhjet, opozita e mbështetur nga Kurti bëhet gati t’ia vjedhë BDI-së vendin në Qeveri (VIDEO)
Demokracia
20:06 | 26 Prill 2024

Share:

“Do të ketë qeveri evropiane, do të ketë qeveri në të cilën tanimë veçse është paralajmëruar se koalicioni VLEN do të jetë pjesë e saja. Në atë qeveri ne garantojmë rrugëtimin evropian të vendit dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”.

Ky është paralajmërimi i kryetarit të partisë “Besa”, Bilall Kasamit, vetëm dy ditë pasi ai dhe koalicioni i partive opozitare shqiptare të cilit i takon, LEN – Lëvizja Evropiane për Ndryshim, pësuan debakël më 24 prill 2024 në zgjedhjet për President të Maqedonisë së Veriut, shkruan Demokracia.com.

Një pretendim i tillë i Kasamit, nuk është aspak korrekt deri sa nuk dihet rezultati i zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj dhe sidomos pas rezultatit humbës të së mërkurës, ku kandidati i opozitës shqiptare për president, Arben Taravari, humbi thellë në krahasim me kandidatin tjetër shqiptar, Bujar Osmanin e “Frontit Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik i Ali Ahmetit.

Për më tepër, paralajmërimi i Kasamit se koalicioni opozitar LEN do të bëhet pjesë e Qeverisë, e cila do të formohet nga partia aktuale opozitare, VRMO-DPMNE, është grabitje e të drejtës që i takon partisë më të mbështetur nga votuesit shqiptar.

Të gjitha sondazhet, përfshirë edhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale (24 prill 2024), flasin se Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit dhe koalicioni i tij “Fronti Evropian” do të dalin fitues në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Përveç kësaj, taktika e opozitës shqiptare, VLEN, nëse nuk do të përfillte rezultatin zgjedhor, do të ishte në kundërshtim të plotë me vullnetin e shumicës së votuesve shqiptarë.

PARTIA PRO-RUSE DHE E AFËRT ME VUÇIQIN, VMRO-DPMNE, FAVORIZON KOALICION ME OPOZITËN E DOBËT SHQIPTARE

Nuk është më sekret se partia e ish-kryeministrit që u arratis në Hungari, Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE është e lidhur fort me Rusinë.

Gjatë opozitarizmit të saj, derisa në Qeveri ishte partia pro-europiane, LSDM e Zoran Zaevit dhe bashkëqeveriste me BDI-në e Ali Ahmetit, është munduar që të dëmtojë pozicionin e qeverisë. Gjatë kësaj kohe, është përhapur propagandë e madhe pro-ruse dhe nacional-shoviniste, gjë që ka ndikuar në rritjen e mbështetjes së saj popullore, e cila u reflektua edhe në garën presidenciale të 24 prillit.

Kryetari i partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, ka thënë se pas publikimit të rezultateve për zgjedhjet presidenciale, ka kontaktuar me opozitën shqiptare, përkatësisht me kandidatin e VLEN-it për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, e ka uruar atë për rezultatin, ndonëse ka humbur ndaj Bujar Osmanit, dhe për qeveri të ardhshme të përbashkët me opozitën shqiptare.

“Para se të drejtohem para jush, u dëgjova me opozitën shqiptare, me Arben Taravarin, e urova për rezultatin dhe i dëshirova zgjedhje parlamentare të suksesshme dhe Qeveri të ardhshme në Maqedoni”, tha Mickoski në një konferencë për media teksa shpalli fitoren e kandidates së VMRO-DPMNE-së për presidente të Maqedonisë së Veriut.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/politikani-anti-shqiptar-lideri-i-vmro-dpmne-mickoski-u-degjova-me-taravarin-i-urova-qeveri-te-ardhshme/

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, nëse shqiptarët do të prezantoheshin me një kandidat të vetëm në këtë garë për zgjedhjet presidenciale, atëherë është e sigurtë se për herë të parë në historinë politike të Maqedonisë së Veriut shqiptarët do të siguronin raundin e dytë të zgjedhjeve, por ky bashkim ishte i pamundur për shkak ndarjes së spektrit politik shqoptar në dy tabore të mëdha politike.

 

Ndarjes së madhe të shqiptarëve në dy formacione politike i ka shërbyer kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mënyrë të paprecedent ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të vendit fqinj. /Demokracia.com /

Lexo më shumë: https://demokracia.com/percaresi-ka-emrin-albin-kurti-nese-shqiptaret-do-te-bashkonin-voten-do-ta-siguronin-balotazhin-per-president-te-maqedonise-se-veriut/ Demokracia

Të ngjashme