Lajme
Vizat, Asociacioni, zgjedhjet në veri – gjithçka do të dihet nga kjo e shtunë
Demokracia
13:37 | 17 Tetor 2023

Share:

Burime të Periskopit bëjnë me dije se të shtunën, kur pesëshja diplomatike (BE dhe ShBA) zbarkon në Prishtinë, do të sjell ‘ultimatum’ lidhur me zbatimin e Marrëveshjes që tashmë quhet ‘Bazike’ mes Kosovës dhe Serbisë. Sot, presidenti francez Macron, paralajmëroi pezullim të vizave, si një mesazh që ‘Kurti dhe Osmani nuk e kanë mbajtur fjalën’ që kanë dhënë në dialog. Po Serbisë, çka do t’i kërkohet?

Këtë fundjavë, në Kosovë dhe në Serbi, do të zbarkojnë pesëshja diplomatike: përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Qëllimi i vizitës të së ashtuquajturës pesëshes së madhe, është të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe në depërshkallëzim pas zhvillimeve të fundit, ka deklaruar Stano.

“Ne kemi pritshmëri të qarta që palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe do të përmbushin detyrimet e tyre pa vonesa ose kushte”, porositi Stano në prag të vizitës së paralajmëruar.

Sot, presidenti francez Emmanuel Macron, ka paralajmëruar ‘pezullimin e vizave për Kosovën’.

‘Ne e ndjekim me vigjilencë tensionet që mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim që është i fortë dhe i mirë. Presim të respektohet nga dy palët. Përgjegjësia e Vuçiçit të dënojë prerazi aktet e 24 shtator, sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Presim nga Kosova dhe Serbia, riorganizimi i zgjedhjeve në komunat, pjesëmarrja e serbëve, njohjen e asociacionit nga Kosova. Pres që Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga Osmani dhe Kurti. Ju kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës, fjala nuk po mbahet pres të angazhohen dy palët. Është kusht i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron nga Tirana.

Kujtojmë se gazetari Baton Haxhiu, dje ka paralajmëruar se madje prej të shtunës, do të ketë një afat kohor për përmbushjen e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

“Më 21 tetor vendet e QUINT-it do të shkojnë në Prishtinë. Më 21 tetor do të ketë një afat prej 10 deri në 12 ditë që Kurti… dhe më pastaj do të shkojnë në Beograd te Vuçiq, do të kenë kohë të vendosin vetëm me ‘Po’ ose ‘Jo’. Vendet e QUINT-it do të shkojnë në takimet në Prishtinë dhe Beograd edhe me Lajçak, por ai vetëm formalisht do të jetë aty, sepse dihet që ai s’ka më fuqi”, ka thënë Haxhiu.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në qytetin e Banjskës në territorin e komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon hetim lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit por  në të njëjtën kohë, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen menjëherë në procesin e dialogut.

Të ngjashme