Lajme
Virusi fungal vdekjeprurës po përhapet me “shpejtësi alarmante” në ShBA: Ekspertët i komentojnë rreziqet
Demokracia
15:32 | 21 Mars 2023

Share:

Televizioni “NBC News” raporton se një virus i ri fungal, që mund të jetë vdekjeprurës, është rezistent ndaj ilaçeve dhe është duke u përhapur me shpejtësi te pacientët e kujdesit shëndetësor në ShBA, zbulon një studim i ri qeveritar.

Ky virus është një lloj tharmi i quajtur Candida auris, ose C. auris, dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda te njerëzit me sistem imunitar të dobësuar. Numri i njerëzve të diagnostikuar me infeksionin si dhe numri i atyre që përmes ekzaminimit u konstatua se bartnin C. auris (pa simptoma), është rritur me një ritëm alarmues, qëkurse u raportua për herë të parë në ShBA, raportuan të hënën studiuesit nga Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

“Rritjet, veçanërisht në vitet më të fundit, janë shqetësuese për ne”- tha në një intervistë autorja kryesore e studimit, Dr. Meghan Lyman, kryemjeke në Degën e Sëmundjeve Mykotike në CDC. “Kemi vërejtur rritje jo vetëm në fushat ku transmetimi është në vijim e sipër, por edhe në fusha të reja”- shtoi ajo.

Paralajmërimi i ri i CDC- së, i botuar në “Annals of Internal Medicine”, vjen përderisa Misisipi po lufton një shpërthim në rritje të virusit fungal. Që nga nëntori, të paktën 12 njerëz janë infektuar me C. auris me katër “vdekje që potencialisht ndërlidhen me këtë virus”, sipas departamentit shtetëror të shëndetësisë, tha në një shkresë elektronike zëdhënësja e Departamentit të Shëndetësisë të Misisipit, Tammy Yates.

Virusi fungal mund të gjendet në lëkurë dhe në tërë trupin, sipas CDC-së. Nuk është kërcënim për njerëzit e shëndetshëm, por rreth një e treta e njerëzve që sëmuren me C. auris vdesin.

Në mënyrë që të mos krijojë panik, Dr. Waleed Javaid tha se: “Ky është një infeksion që ndodh në individë që zakonisht janë të sëmurë me shumë probleme të tjera shëndetësore.” Doktori po ashtu tha se nuk duhet ta krahasojmë këtë situatë me filma apokaliptik, si “The Last of Us”.

Problemi më i madh rreth virusit fungal C.auris është se ai mund të infektojë edhe objekte të përditshme si karrigia, telefoni etj. Mjeku Waleed Javaid shpjegon se si infektimi i dhomave emergjente me këtë infeksion fungal, që ngjitet në objekte, do të ishte katastrofal.

Të ngjashme