Lajme
Viktima të burrave, në dy muajt e parë të vitit u ushtrua dhunë në afër dy mijë gra
Demokracia
17:40 | 08 Mars 2022

Share:

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në këtë ditë kur vëmendja e të gjithëve kthehet te gratë dhe respektimi i të drejtave të tyre, nuk ka sesi të harrohet fenomeni i dhunës ndaj grave.

Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti në Kosovë, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, 1 mijë e 986 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje, raporton Demokracia.com.

Nuk kalon ditë që në raportet e Policisë së Kosovës nuk raportohet për dhunë të burrave ndaj grave e baballarëve ndaj vajzave.

Sipas statistikave të policisë, në vitin 2021 janë shënuar gjithsej 2 mijë e 486 raste të dhunës në familje, ku prej tyre në 500 raste viktima kanë qenë burrat.

Në një përgjigje të Policisë së Kosovës për Demorkacia.com është thënë se ky institucion që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje, duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është parandalimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, duke bërë që rastet e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Demokracia.com.

Ata thonë se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë, kjo sidomos kur në raste janë të përfshirë fëmijët si viktima, prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë te sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, kanë thënë nga Policia e Kosovës./Demorkacia.com/

Të ngjashme